Në një mbledhje Grupi Parlamentar me dyer të hapura, ku qëllimi ishte bindja e qytetarëve se mazhoranca nuk kërkon të mbrojë Ballukun por ndarjen e pushteteve, Partia Socialiste prezantoi projektligjin që ndalon gjykatat të pezullojnë kryeministrin, ministrat dhe një sërë zyrtarësh të tjerë, edhe nëse ata akuzohen për korrupsion apo vepra të tjera penale.
Një prej nismëtarëve të këtij projektligji është edhe vetë kryeministri Edi Rama, që pasi e kuptoi se drejtësia kishte shkuar në paradhomën e tij, duke pezulluar zv.kryeministren Belinda Balluku dhe më pas duke kërkuar arrestimin e saj, propozim që t’i vendosë vetes një mburojë nga drejtësia.
Për ta bërë edhe më bindëse për qytetarët, në “zonën e mbrojtur” nuk u vendosën vetëm Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave, por edhe Presidenti, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Por, po t’i shohim me kujdes ata që do të mbrohen me ligj nga drejtësia, janë të gjitha institucione që zgjidhen me votë nga Kuvendi, ose më mirë nga Partia Socialiste, që ka shumicën absolute dhe miraton e zgjedh çfarë të dojë e kë të dojë pa marrë parasysh propozimet e opozitës.
Sipas Ulsi Manjës, që lexoi edhe propozimin e projektligjit, këto institucione burojnë nga Kushtetuta dhe përbëjnë shtyllat kryesore të shtetit, ndaj qëllimi i projektligjit është garantimi i funksionimit normal dhe pandërprerë dhe kushtetues të institucioneve duke ruajtur kompetencat e prokurorisë dhe gjykatave.
“Jemi referuar strikt Kushtetutës, këta janë institucione që burojnë nga Kushtetuta dhe përbëjnë shtyllat kryesore të shtetit. Janë themelet e shtetit demokratik. Qëllimi ndërhyrës është garantimi i funksionimit normal dhe pandërprerë dhe kushtetues të institucioneve duke ruajtur kompetencat e prokurorisë dhe gjykatave. Ndryshimi nuk synon të kufizojë juridiksionin penal dhe as te krijojë paprekshmëri individuale, për të vendosë balancë ndërmjet ushtrimit të funksioneve kushtetuese”, tha Ulsi Manja.
Por, nëse mazhoranca do t’i referohej strikt Kushtetutës dhe do të vendoste në “zonën e mbrojtur” institucionet që burojnë nga Kushtetuta, përse ka “harruar” të përfshijë edhe organet kushtetuese të drejtësisë?
Përse janë mbrojtur me ligj vetëm zyrtarë të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, dhe nuk janë përfshirë institucionet kushtetuese të drejtësisë si KLGJ, KLP, ILD apo të tjerat?
Përgjigja është e qartë: mazhoranca ka hartuar një projektligj me qëllimin e vetëm që të mbrojë kryeministrin, teksa të tjerët që do të kenë fatin të mbrohen nga ky ligj, janë thjesht rastësorë, për të fshehur qëllimet e vërteta të kësaj shumice parlamentare.
Një projektligj i hartuar që të mbrojë të korruptuarit sepse rrezikojnë rënien e pushtetit. Dhe paradoksi është se Shqipëria perceptohet si një nga vendet më të korruptuara në Europë, por në vend që ta luftojë korrupsionin, vendos ta mbrojë me ligj.
Lexo edhe: Në shtetin më të korruptuar të Europës, të korruptuarit mbrohen me ligj
KODI I PROCEDURËS PENALE, NENI 242
Si është:
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.
Si do bëhet
“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zv.kryeministri, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese”.