Ndërkohë që qytetarët shqiptarë po përballen çdo muaj me fatura të kripura të energjisë elektrike, shteti po e shet rrymën në bursë me një çmim qesharak, shumë herë më të ulët se ai që u faturohet familjeve në vend.
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka shitur të martën 10.800 megavat orë energji me çmim mesatar 15.55 euro për megavat, në një kohë kur çmimi mesatar në bursë ka qenë rreth 128 euro për megavat. Praktikisht, energjia publike është shitur rreth 8 herë më lirë se vlera reale e tregut.
Nga kjo shitje, KESH ka arkëtuar vetëm 167,940 euro, ose rreth 16.2 milionë lekë, teksa po të shitej me çmimin mesatar të tregut, kjo sasi energjie do t’i sillte buxhetit të shtetit rreth 1.38 milionë euro. Diferenca tregon një humbje direkte mbi 1.2 milionë euro vetëm në një ditë, që mund të përdoreshin për pensione, shëndetësi dhe arsim.
Në total, KESH nxori në shitje 56.500 megavat orë, por arriti të shesë vetëm 10.800 megavat orë, çka ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën si menaxhohet pasuria publike dhe si negociohen çmimet në bursë.
Ndërkohë, qytetarët që konsumojnë deri në 700 kilovat në muaj paguajnë 8.5 lekë për kilovat, ndërsa mbi këtë nivel çmimi shkon në 9.5 lekë për kilovatPra, shteti shet energjinë e prodhuar nga pasuritë publike 8 herë më lirë sesa çmimi që ua faturon qytetarëve të vet.
Kjo situatë ngre dyshime serioze për strategjinë e shitjes së energjisë dhe për mbrojtjen e interesit publik, pasi çdo euro e humbur nga shitja nën çmim është një goditje direkte për buxhetin e shtetit dhepër xhepin e taksapaguesve shqiptarë.