Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë thotë se po ndjek nga afër amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt nga qeveria shqiptare, ku parashikohet se kryeministri, apo ministrat, nuk mund të pezullohen më nga detyra me vendim gjykate.
Në një reagim për mediat, BE nënvizon se çdo nismë ligjore që lidhet me gjyqësorin duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane dhe acquis-in e Bashkimit Europian, duke respektuar pavarësinë, llogaridhënien dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Ndërkohë delegacioni i BE në Tiranë ka ripërsëritur qëndrimin se është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.
Reagimi i plote:
BE-ja po monitoron nga afër amendamentin e Kodit të Procedurës Penale të paraqitur më 16 shkurt.
BE-ja monitoron dhe vlerëson çdo nismë legjislative që lidhet me gjyqësorin në të gjitha vendet kandidate, përfshirë Shqipërinë. Këto nisma pritet të jenë në përputhje me acquis të BE-së dhe standardet evropiane.
Kjo përfshin edhe zbatimin e reformës në drejtësi të vitit 2016 në kuadër të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Shteti i së drejtës dhe pavarësia, llogaridhënia dhe efikasiteti i gjyqësorit në Shqipëri janë elemente themelore të procesit të zgjerimit të BE-së.
Retorika që nxit mosbesim publik ndaj gjyqësorit dhe ndaj pavarësisë, paanshmërisë dhe integritetit të sistemeve gjyqësore dhe prokuroriale është kundërproduktive.
Siç kemi deklaruar më parë, është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.
Lufta efektive kundër korrupsionit është me rëndësi jetike për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE