Rama prezanton Dash Sulën si Kryeinspektor, ish-deputeti: Partia ime më nxori në rrugë! Te qeveria jote dola i pari

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ditën e sotme ish-deputetin Dashnor Sula si Kryeinspektorin e ri të Përgjithshëm.

Në fjalën e tij, nuk munguan as batutat për ish-deputetin demokrat, për të cilin tha se ka qenë nga ata që e kanë kritikuar më së shumti gjatë seancave në Parlament, por tashmë do të shohim se si ai punon.

“Dua të them dy fjalë për faktin që kryeinspektori vjen nga një pjesë e karrierës që ka qenë politike, por më parë ka qenë protagonist në sistemin e mëparshëm, formimi juridik është i rëndësishëm… këtu jemi vend i vogël për t’u ndarë dhe kur vjen puna te politika ndarja është  e natyrshme por kur vjen puna te politika mirë është që të bashkëpunojmë. Edhe mua nuk më ka kursyer zotëria kur ka qenë në parlament tani ta shohim se si ka bërë gjëra për të cilat nuk na ka lënë gjë pa thënë për ne”, tha Rama.

Ndërkohë, vetë Dash Sula nuk ngurroi të sulmojë edhe Partinë Demokratike, duke thënë se e hodhi në rrugë pavarësisht betejave që ai kishte fituar, ndërsa shtoi se qeveria Rama i kishte dhënë mundësinë të kandidonte dhe të fitonte.

Sipas Sulës, janë 3 gjëra që ai i ka të panegociueshme, duke nisur nga përkushtimi maksimal e deri te integriteti i tij moral.

“Ju vlerësoj për vizionin që keni. Ndoshta është e pamundur dhe e paimagjinueshme që për një demokrat prej 20 vitesh politike, në një llogore tjetër, që ju e thatë me të drejtë, kritikuar, gjuajtur me gurë shtëpisë apo qeverisë tuaj, por diferenca është thelbësore. Aty ku kam kontribuar dhe dhënë dhe kam fituar gara të paimagjinueshëm dhe garën e fundit që del i pari, dhe del në rrugë, te qeveria jote, mora kurajon dhe konkurroj dhe dal i pari. Të gjithë , edhe ato demokratë duhet të besojnë dhe të konkurrojnë dhe të kenë besim të ai vend punë që konkurrojnë. 

Unë ju garantoj sot këtu, në ditën e parë të prezantimit, që unë 3 gjëra i kam të panegociueshme dhe që do t’i vë në zbatim. Në radhë të parë do kem përkushtimin tim maksimal gjatë 24 orëve. Telefoni im do jetë i hapur, dhe nëse do jetë në një çast i mbyllur, unë e lë detyrën.

E dyta, ju garantoj për integritetin tim moral dhe besoj gjithë trupës së inspektorëve, që nuk pretendoj që gjithçka do jetë mrekulli, por do ketë një përmirësim të dukshëm, sidomos nga rekrutimi, te masat disiplinore dhe ndëshkuese, që do ketë drejtësi.

Do të ketë vetëm drejtësi, nga unë i pari deri te inspektori i fundit. Sfida që na ka vënë zoti kryeministër është digjitalizimi i sistemit dhe ndërtimi i një sistemi të parandalimit dhe në mbrojtje të interesit publik në çdo moment”, tha Sula.