Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ishte sot në Porto Romano, ku ndodhen 102 kontenierë me rreth 2100 ton mbetje të rrezikshme të kompanisë Kurum, të vendosura në një ambient të improvizuar dhe pak qindra metra larg zonës së banuar.
Kontenierët janë të vendosur mbi një shtresë çakulli, në një tokë të lagësht, ndërsa ambienti ku mbahen është i mbyllur dhe nuk është lejuar hyrja, megjithatë është arritur të filmohet.
“Një bombë e vërtetë mjedisore këtu në Porto Romano. 102 kontenierë me 2100 ton mbetje të rrezikshme janë vendosur këtu në Porto Romano, në këtë ambient të improvizuar. Dera është e mbyllur, nuk na lanë të hyjmë brenda, por arritëm të filmojmë sesi janë vendosur kontenierët. Janë në një shtresë çakulli, në një tokë të lagësht, dhe vetëm pak qindra metra larg nga zona e banuar.
Lënia e tyre për një kohë të gjatë në një vend të hapur sigurisht që përbën rrezikshmëri, pasi këto mbetje mund të shkojnë nëntokë dhe të helmojnë ujërat dhe më pas edhe banorët. Ne do ta ndjekim si çështje në Parlament, do të pyesim ministrat sepse ende nuk kemi një zgjidhje nga qeveria se çfarë do të bëjë me këtë sasi të jashtëzakonshme mbetjesh të rrezikshme për shëndetin e shqiptarëve”, denoncon Kapri.
Deputeti i Partisë Mundësia paralajmëroi se çështja do të ngrihet në Parlament dhe do të kërkohet llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse për mënyrën e trajtimit të këtyre mbetjeve.