Shkelje me tenderin e Ujësjellësit, SPAK çon për gjykim ish-kryebashkiakun e Memaliajt

SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim ish-kryetarin e Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, ish-nënkryetaren Edmonda Harizi, ish-drejtorin e Shërbimeve Publike, Feta Hoxha, si dhe administratorin e subjektit “Bersant Ylli”, të akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Prokuroria e Posaçme njofton se hetimet kanë nisur pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në lidhje me procedurën e prokurimit “Ndërtimi i Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e vitit 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj.

Nga hetimet ka rezultuar se Kryetari i Bashkisë Memaliaj, shtetasi Gjolek Guci, më 21 shtator të vitit 2020 ka nënshkruar kontratën e dhurimit me nr. 658/1 Prot., me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., të përfaqësuar nga administratori A.Sh. Ndërsa projekti për zbatimin e ndërtimit të ujësjellësit rajonal është miratuar nga Kryetari i Bashkisë Memaliaj.

Fondi për objektin, në vlerën mbi 493 milionë lekë (493.183.572), ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtimin dhe kolaudimin e punimeve. Vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria “Artreum Generation”, nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit.

Pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik.

Gjithashtu, është pranuar nënkontraktimi me operatorin ekonomik “Artreum Generation” sh.p.k., i cili ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte dhuruar projektin dhe kishte hartuar specifikimet teknike dhe nuk plotësonte kriteret ligjore për nënkontraktor.

Në datë 28.01.2026, është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 216 në procedimin penal 216/1, për hetime të mëtejshme lidhur me zbatimin e kontratës, për të cilën kërkohet kryerja e veprimeve hetimore të mëtejshme.