Plumbi i Artë/ Henrik Hoxhaj rrëfen atentatin ndaj biznesmenit Masha: Do t’i vrisnim djalin në varrim

Është zhvilluar sot në Gjykatën e Posaçme seanca e radhës e dosjes “Plumbi i Artë”, ku i penduari i drejtësisë, Henrik Hoxhaj ka dëshmuar në lidhje me atentatin ndaj biznesmenit Lulzim Masha në Tiranë.

Në sallën e gjyqit, Hoxhaj ka treguar se porosinë për kryerjen e vrasjes e ka marrë nga Nuredin Dumani. Ky i fundit, thotë ai, kishte kërkuar fillimisht vrasjen e djalit të Lulzim Mashës, dhe i kishte ofruar 150 mijë euro. Në pamundësi për ta gjetur atë, Nuredin Dumani i ka ofruar 100 mijë euro për vrasjen e Lulzim Mashës.

Ai ka rrëfyer se armën për kryerjen e vrasjes e kishin marrë nga një person, i identifikuar me nofkën “sakati”, ndërsa shtoi se arma i ngeci Skerdi Tases, në momentin që do qëllonte Lulzim Mashën.

“Për Lulzim Mashën, porosinë për këtë rast, Nuredini ma ka dhënë në Kosovë, në Gjilan atje rrinte. Porosia fillimisht ishte për djalin e Lulzim Mashës, por nuk e gjetëm. Nuredini më tha se vajza e Lulzim Mashës kishte qenë e fejuar me një nga vëllezërit Dizdari dhe pas ndarjes, këta Mashat nuk i kishin kthyer disa para apo prona që Dizdarët kishin kaluar në emër të tyre.

Mbikëqyrja e Lulzimit zgjati gati 1 vit, sepse e lamë pak pas dore. Djalin nuk po e gjenim dot. Prandaj u angazhua ‘Sakati’, i cili do të na jepte informacion nëse ai futej në Shqipëri. Nuredini thoshte se djali i Mashës mashtronte njerëzit në Maqedoni. Ne e pritëm, por nuk erdhi. Pastaj morëm masa që të vrisnim të atin, në mënyrë që djali të vinte në varrim dhe ta vrisnim””, u shpreh Hoxhaj.