Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh që parashikon indeksimin me 2.5% të pagave dhe të elementeve përbërëse të tyre për disa kategori të administratës publike për vitin 2026.
Vendimet e miratuara përfshijnë një gamë të gjerë institucionesh dhe funksionesh. Konkretisht, përfitues nga indeksimi do të jenë:
Presidenti i Republikës, përmes rritjes së pagës përkatëse;
Funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, për të cilat rritet paga referuese bazë;
Garda e Republikës;
Policia e Burgjeve;
Koordinatorët kundër korrupsionit;
Punonjësit mbështetës në administratë;
Specialitete të ndryshme të administratës publike;
Personeli i sistemit shëndetësor.
Krahas indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.
Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026 dhe vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare nga 1 janari 2026.