Kërkesa për rritjen e pagave të gjyqtarëve duket se e ka lënë pa gjumë kryeministrin Rama, pasi që në mëngjes është futur “live” në rrjetet sociale për t’i sulmuar ata që në mëngjes.
Ai foli me tone të ashpra kundër gjyqtarëve, që sipas tij duan t’ia rrisin pagat vetes me nga 3 mijë euro, duke i marrë buxhetit të shtetit 37 milionë euro.
“Jam këtu në një komunikim të drejtë për drejtë sepse jam absolutisht i surprizuar nga një reagim i pa besueshëm i shoqatës së gjyqtarëve në lidhje me shqetësimin për një përpjekje që në këndvështrimin tim është e pa pranueshme për t’ju imponuar Kuvendit e qeverisë përmes pushtetit gjyqësor dhe për t’i rritur pagat vetes gjyqtarët.
S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Tymnajë populiste. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni. Ju zotërinj kërkoni 37 milion euro nga buxheti i shtetit. Kjo është e vërteta dhe se luan topi. Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5 mijë. Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro. Ndërkohë, sot aktualisht, pagat e gjyqtarëve, janë rreth 6500 euro.
Ju doni t’i rrisni pagat në muaj 3 mijë euro vetes, në gjykata. Ku jeni ju? Ça kërkoni? Ju i keni pagat sa në Greqi, ju doni ti rrisni me nga 2-3 mijë euro në muaj. Në emër të çfarë? Nuk ka ligj dhe kushtetutës. Ju thoni se nuk mund të heshtni për përbaltjen kryeministrore? Çfarë përmbajtje? Ju jeni ajo palë që duhet të heshtë në publik dhe të japë vendim në sallën e gjyqit. Ju me këtë tentativë në Gjykatën Kushtetuese, doni të jeni ligji. Kjo është e vërteta. Nuk synon qëndrimi im të ndezë një debat në publik”, tha Rama.
Sipas tij, gjyqtarët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese edhe për të kërkuar trajtim financiar të privilegjuar për gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga vettingu për pasuri të pajustifikuara.
“Ju keni shkuar në GJK për t’iu rritur pagën atyre që i hoqi Vettingu sepse nuk ishin të denjë për sistemin e ri të drejtësisë. Ju keni shkuar në GJK për ti kërkuar taksapaguesve shqiptarë, që të paguajnë paga më të larta se të tjerëve për gjykatës dhe prokurorë që vettingu i hoqi sepse kishin pasuri të pajustifikuara. Ju keni vajtur në GJK për tu thënë taksapaguesve shqiptarë se edhe ata që ishin korruptuesit dhe gjakpirësit e sistemit të drejtësisë meritonin rritje pagash njësoj si ata që e kaluan vettingun”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama ashpërson tonet me gjyqtarët pas kërkesës së këtyre të fundit për të rritur pagat e tyre. Ai ka folur disa herë dhe ka dhënë edhe shifra se sa do t’i kushtojë kjo buxhetit të popullit.
Ironik është fakti se kreu i qeverisë nuk ka folur kurrë mbi 50 milionë eurot e tunelit të Llogarasë, për të cilat zëvendësja e tij, Belinda Balluku, është e pandehur në SPAK dhe ka një kërkesë për arrestimin e saj.