Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë as sot një vendim për çështjen ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku, pas ankimimit nga qeveria ndaj vendimit të GJKKO për pezullimin e saj nga detyra.
Mësohet se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, u mblodhën sërish sot, por ata nuk dhanë vendimin me pretendimin se kjo është një çështje sensitive.
Ndërkohë nuk dihet ende se kur Kushtetuesja do të mblidhet sërish, ndërsa SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, por Këshilli i Mandateve nuk ka vendosur ende për imunitetin e saj, pasi socialistët po presin vendimin e Kushtetueses.
Por teksa Balluku vijon të jetë ende në detyrë, ekziston rreziku që ajo të prish provat, siç thuhet edhe në arsyetimin e prokurorëve të SPAK, të cilët i kërkuan Kuvendit heqjen e imunitetit të numrit dy të qeverisë.
Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe të Unazës së Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti rreth 210 milionë euro.
GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes u bë në 27 Janar, por pa u marrë një vendim.
Ndërkohë, SPAK nuk ka hezituar dhe ka kërkuar të arrestojë Ballukun, pasi e konsideron rrezik për prishjen e provave, argumentim që e dha edhe për pezullimin nga detyra. Tashmë do t’i takojë Kuvendit të marrë vendim, nëse do të pranojë heqjen apo jo të imunitetit të Belinda Ballukut.