Medvedev: Bota po bëhet shumë e rrezikshme, por Rusia nuk kërkon konflikt botëror

Dmitry Medvedev, një zyrtar i lartë i sigurisë në Kremlin, deklaroi se bota po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme, por se Rusia nuk dëshiron një konflikt global. Deklaratat e tij u publikuan këtë të hënë.

Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 shkaktoi përplasjen më të madhe mes Perëndimit dhe Moskës që nga kulmi i Luftës së Ftohtë. Megjithatë, emisaret e presidentit amerikan Donald Trump po përpiqen të negociojnë për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

Medvedev, i cili mban postin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë – një strukturë që krahasohet me një politbyro moderne të elitës ruse – vlerësoi presidentin Trump dhe tha se është inkurajuese rifillimi i kontakteve me Uashingtonin.

Megjithatë, Medvedev, i njohur për retorikën e ashpër ndaj Kievit dhe fuqive perëndimore, paralajmëroi se Perëndimi ka injoruar vazhdimisht interesat e Rusisë dhe se rreziku i përshkallëzimit të luftës drejt një “apokalipsi bërthamor” mbetet real.

“Situata është shumë e rrezikshme. Pragu i durimit duket se po ulet”, tha Medvedev në një intervistë për Reuters, TASS dhe blogerin rus të luftës WarGonzo, e zhvilluar në rezidencën e tij pranë Moskës.

“Ne nuk jemi të interesuar për një konflikt global. Nuk jemi të çmendur. Por një konflikt i tillë nuk mund të përjashtohet”, shtoi Medvedev, i cili ka shërbyer si president i Rusisë nga viti 2008 deri në 2012.

Edhe pse presidenti Vladimir Putin mbetet autoriteti final në politikën ruse, diplomatët e huaj vlerësojnë se Medvedev pasqyron mendimin e krahut më të ashpër brenda elitës ruse.

Gjatë intervistës, në dhomën ku ajo u zhvillua, ishte varur një karikaturë që paraqiste Medvedevin duke drejtuar një armë automatike drejt liderëve evropianë.

Putin dhe Trump kanë përmendur të dy rreziqet e përshkallëzimit të luftës në Ukrainë, ndërsa diplomatët evropianë thonë se Moska e ka përdorur me mjeshtëri kërcënimin e eskalimit për të trembur aleatët e Ukrainës që të mos përfshihen më thellë në konflikt.

“Ata thonë: ‘Këta rusë po sajojnë histori frike dhe nuk do të bëjnë asgjë’. Por ajo që ne e quajmë Operacioni Special Ushtarak në Ukrainë tregoi se Rusia do t’i mbrojë interesat e saj”, tha Medvedev.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë e konsiderojnë luftën, më vdekjeprurë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, si një grabitje territoriale me frymë imperialiste dhe paralajmërojnë se, nëse Rusia fiton në Ukrainë, mund të sulmojë edhe NATO-n. Moska i hedh poshtë këto pretendime si të pavërteta.

Konflikti shpërtheu fillimisht në Ukrainën lindore në vitin 2014, pas rrëzimit të presidentit pro-rus gjatë Revolucionit të Maidanit. Rusia aneksoi Krimenë, ndërsa separatistët e mbështetur nga Moska luftuan kundër forcave ukrainase.

Duke komentuar zhvillimet globale të janarit, përfshirë Venezuelën, Grenlandën dhe zona të tjera, Medvedev tha se “gjithçka ishte thjesht tepër”.

Në lidhje me presidentin venezuelian Nicolas Maduro, aleat i Rusisë, Medvedev deklaroi se nëse një president amerikan do të “rrëmbehej” nga një fuqi e huaj, Shtetet e Bashkuara do ta konsideronin qartë këtë si akt lufte.

Ai shtoi gjithashtu se pretendimet perëndimore për kërcënime ruse apo kineze ndaj Grenlandës janë “histori frike” të shpikura nga liderët perëndimorë për të justifikuar sjelljen e tyre.