Çfarë ndryshoi me Shqipërinë me ardhjen në krye të Ahmet Zogut

Adil Biçaku

Më datën 1 shtator të vitit 1928 Shqipëria do të ndryshonte formën e saj të regjimit. Ajo do të shpallej Monarki Parlamentare me Ahmet Zogun që mori titullin Mbret i Shqiptarëve.

Vetë titulli tregon shumë – Mbret i Shqiptarëve. Përkundër dajës së vet, Esad Pashë Toptanit,  që mëtonte të ishte Mbret i Shqipërisë, nipi ishte më i mprehtë, më largpamës, Mbret i Shqiptarëve.

Me anë të këtij titulli, Zogu mëtonte që të ndërtonte kohezion kombëtar, duke mos lënë mundësinë që serbët apo grekët të nxirrnin një mbret të dytë në trojet shqiptare. Ka një rrëfenjë të bukur kur e pyesin në Vjenë se pse atë e quanin Naltmadhni dhe jo Madhni. Zogu do të thoshte, pak a shumë, atë që shkruante një shekull më herët Ali Pasha për Mehmet Ali Pashën – të gjithë në Shqipëri janë Madhni, ndërsa unë jam Naltmadhnia. Imagjino, vijon Zogu, edhe shërbyesja në pallat më thotë:

– Afmet, si kalove sot?

Atë të shtunë 1 shtatori, Asambleja Kushtetuese, e dalë nga votimet që u mbajtën më 16 gusht të vitit 1928, dhe që kryesohej nga Pandeli Evangjeli, vendosi me unanimitet të plotë për ndërrimin e formës së qeverisjes së Shqipërisë, duke e kthyer vendin nga Republikë, që ishte deri në atë kohë, në Monarki Parlamentare. Debatet ishin të shumta. Legalistët argumentojnë se shumica e vendeve ishin monarki, ndaj u bëmë edhe ne. Argumenti nuk qëndron. Ajo që duhet të theksohet është se vendi kishte një qeverisje kaotike, kryengritje të herëpashershme dhe ndërhyrje të forta agjenturore. Me logjikën e kohës, një dorë e fortë mund të sillte rregull.

Ish-kryetari i Republikës, Ahmet Zogu, u shpall Mbret i Shqiptarëve.

Mbreti vinte nga një familje e shquar matjane, që kishte dhënë kontribut të madh në betejat për pavarësi dhe ruajtjen e trojeve etnike shqiptare. Nip i Toptanëve, një derë fisnike në Tiranë dhe me shumë zyrtarë të lartë në Perandorinë Osmane, sikundër edhe krushk i Kryezinjve të Kosovës, Zogu kishte atributet e një personi që mund ta drejtonte Shqipërinë në ato kohë të vështira.

Kishte marrë pjesë vetë në beteja kundër serbëve, në luftën heroike për mbrojtjen e Shkodrës krah dajës së tij Esad Pasha, dhe ishte mbështetës i paepur i pavarësisë së Shqipërisë.

Eqrem bej Vlora, politikan i rëndësishëm i kohës, shkruan në kujtimet e veta:

“Në vitin 1912 Ahmet Zogu nuk ishte ndonjë i panjohur. Ai kishte ardhur atë vit në Vlorë, djalë fare i ri, bashkë me kushëririn e tij Dervish bej Biçakun (Elbasani) për t’i shprehur mbështetjen e tij Qeverisë së Përkohshme dhe kishte zënë vend në shtëpinë time. Aty pata rast ta vrojtoja mirë. Por doemos, asgjë nuk më lejoi atëherë të hamendësoja se një ditë ai do të ngjitej në majën e piramidës shtetërore dhe jo me lehtësi, siç mund të kishin bërë shumica e dorës sonë, por përmes vështirësish dhe rreziqesh, të cilat ai i kapërceu vetëm falë ambicies së pa përmbajtur dhe aftësive të tij të jashtëzakonshme.”.

Fisnikët e tjerë vendas nuk ishin dakord me këtë vendim të Zogut që ai të shpallej Mbret, ndaj edhe pati mosmarrëveshje të shumta mes tij dhe familjeve të tjera të mëdha si Vrionët, Vërlacët, Markagjonët, Vlorajt e të tjerë. Me mençurinë e tij, Zogu diti që të shpërndante pushtet. Këtë e tregon më së miri stabilizmi i gjendjes së brendshme ndërsa ai ishte ministër i Brendshëm, më pas President e së fundmi Mbret.

Zogu mësoi teoritë e shtetformimit në dy qendra politike të mëdha të kohës – në Stamboll, ku edhe kishte dhënë motrën për djalin e Sulltanit, dhe në Vjenë, ku qëndroi afër mjeshtrave të politikës perëndimore.

Me parimin se pluralizmi në shoqëri është më i gjerë se kulisat e politikanëve, Zogu e drejtoi Shqipërinë kah themelimi i një kulture perëndimore – shtet laik, modernizim i industrisë dhe reforma arsimore si në Italinë fqinje. Duke e njohur në rrënjë Perandorinë Osmane, ai e kishte kuptuar se “i sëmuri i Bosforit” ishte në grahamat e fundit të jetës dhe në refrakta i fortë ndaj zhvillimeve politiko-kulturore në vendet evropiane.

Të merrje një anije, në këtë rast shteti i ri shqiptar, nga ujërat e Bosforit dhe ta ankoroje në brigjet e Adritatikut italian, ishte një sfidë që Zogu e kapërceu me sukses.

Ai e dinte se haxhiqamilizmi ishte një orvatje për ta mbajtur Shqipërinë peng të shekullit të shkuar, dhe, të tillë, asokohe, kishte shumë syresh. Zogu ndërmori një proces të pashembullt reformash, të cilat me ndihmën e italianëve u bënë edhe më të dukshme. Ai tregoi se Shqipëria kishte mundësinë të ndërtonte një ekonomi më të mirë, të modernizohej dhe ta ndërtonte të ardhmen e saj në Perëndim. Atë copë rrugë që bëmë me osmanët Zogu e vlerësonte lart, por ishte i bindjes se Shqipëria tashmë kishte nisur një udhëtim tjetër, euroatlantik.

Ahmet Zogun, ata që e sollën në pushtet, britanikët, po ata e hoqën. E sollën nga ish-Jugosllavia më 1924-ën dhe, më pas, me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, nuk ja njohën titullin kur ndodhej në Londër me kabinetin e tij. 

Zogu, që në krye të herës, i ktheu sytë nga anglo-amerikanët si miq të mëdhenj të shqiptarëve dhe, si njohës i gjeopolitikës, e kuptonte se shekulli që po agonte, nuk ishte shekulli i yllkuqëve komunistë me sllavizmën pas, por i anglo-amerikanëve me vullnetin për pavarësinë e kombeve.

Ahmet Zogu është ikonë e politikës shqiptare se si shtetformimi mund të çojë në kombformim. Debatet rreth figurës së tij janë të forta dhe ende shumë emocionale. Ai shihet ende në dritën e përplasjes zogizëm – enverizëm. Ndoshta ka ardhur koha që figurat të cilat kanë drejtuar vendin t’i shohim jo vetëm në përballje me njëra-tjetrën, por edhe me kutin se cili ka kontribuuar më shumë për t’i dhënë vendit dinjitet në arenën ndërkombëtare, kah çështjes kombëtare shqiptare, dhe se cili ka krijuar kushte më të mira ekonomiko-politike.

Vonesa në reformën agrare ishte një pikë për të cilën Zogu kritikohej nga kundërshtarët e vet. Kjo reformë do të çlironte më shumë energji në vend, por bejlerët, agallarët dhe pashallarët kishin shumë pushtet, ndërsa intrigat ishin të panumërta.

Zogu nuk qe i aftë të çlironte energji për ekonominë e asfiksuar duke ndërmarrë një reformë të tillë. Pikërisht ky fakt do të shfrytëzohej shumë nga filizat e parë të komunizmit në vend, duke parë se bujku ishte me të vërtetë për t’i qarë hallin.

Interesat e forta të bejlerëve Zogu nuk i trazoi, ndaj socialdemokratët e Ballit Kombëtar dhe nolistët e kritikojnë. Me të drejtë, po të heqim ekzagjerimet ideologjike, edhe sistemi komunist që fitoi.  

Gjatë kohës së Zogut kishte abuzime të shumta në sektorë të ndryshëm, korrupsion të madh, por vlen të theksohet se, për të dhënë shembull, që në krye të herës, kur Tirana po merrte formë si kryeqytet, ai çoi në burg kushërinjt e vet Toptanë pse kishin abuzuar me tenderin e kanalizmeve. Ishte një shenjë e fortë për të treguar se do të kishte përforcim të pavarësisë së gjyqësorit.

Megjithatë duhet thënë se nuk kishim një gjyqësor të pavarur. Ai ishte nën tutelën e autokracisë dhe autokratëve pranë Mbretit. Korrupsioni ishte problem.

Shërbimi sekret i kohës së Zogut ishte model. Me anë të atij shërbimi sekret ai arriti të shtinte në dorë emrat e shumë personave që bashkëpunonin me italianët, ditë e natë, për ta rrëzuar, me serbët apo me grekët dhe turqit për të minuar shtetin e ri shqiptar.

Një Shqipëri e vogël po ngrihej me këmbët e veta, por armiq të fuqishëm kishin futur hundët kudo.

Kryekreje Zogu e dinte se përplasja e fortë ballkanike ishte mes ish-Jugosllavisë (asokohe SKS) dhe Italisë. Jugosllavët nuk donin italianët në kufi, ndërsa italianët nuk donin jugosllavët në kufi. Bregu i Adriatikut në Itali që sheh nga Shqipëria është i pafortifikuar, ndaj italianët e kanë parë kurdoherë me interes që Shqipëria të jetë vend neutral ose miqësor. Jugosllavët po ashtu nuk deshën një Itali në kufi, duke parë se italianët ishin fuqi e madhe dhe kërkonin gjithnjë pjesën e tyre në jug të vendit. Ndoshta prej këtu ka dal shprehja e Konicës që Shqipëria lindi nga rastësia.

Në fjalimin e tij të parë, Zogu parashtron këtë përmasë gjeopolitike duke thënë se Shqipëria nuk do të përdoret si trampolinë që vende të ndryshme të godasin njëri – tjetrin.

Ndërkohë, kishte shumë patriotë që e akuzonin për shitje të interesave kombëtare pse mbante këtë pozicion. Patriotët kishin të drejtë të kërkonin më shumë, të avanconin të drejtat e shqiptarëve, por politikani dhe strategu ishte Ahmet Zogu.

Sot, romantiku i çështjes kombëtare e sheh si tradhtar. Ai që e di si lëvizin gjërat, e kupton se Zogu ishte mjeshtër që kishte një ideal kombëtar dhe mundohej të merrte maksimumin e mundshëm.

Zogu dhe shumë intelektualë atdhetarë pranë tij ndihmuan në krijimin e një elite të konsoliduar politike të Kosovës. Kjo u bë me anë të bursave që jepte Mbreti për shqiptarët e Kosovës që të studionin në Perëndim. Sot kanë dal në dritë telegrame të shumta të legatës serbe në Shqipëri që ishin të alarmuar për këtë masë të Zogut. Shumë kosovarë ishin përfshirë gjithashtu në ushtrinë shqiptare për të marrë përgatitjen e duhur. Po të shohësh me vëmendje, gjithë elita e Kosovës pas vendosjes së komunizmit në Ballkan, ishte shkolluar me bursat e Zogut dhe të Marash Ivanajt. 

Pas vitit 1912, Shqipëria pësoi një transformim rrënjësor sepse qëndrat më të mëdha tregëtare dhe politike mbetën jashtë – Ohëri, Prizreni, Ulqini, Janina dhe Selaniku. Për shekuj të tërë, familje të shquara shqiptare kishin bërë politikë dhe tregëti në këto qendra të mëdha politike dhe kulturore.

Ndërsa shqiptarët dhe dinastitë e tyre shekullore kishin qenë aktivë në këto treva dhe qendra të mëdha, pas themelimit të shtetit shqiptar, flukset ishin të forta drejt Tiranës apo Durrësit. Zogu me mprehtësinë dhe inteligjencën e vet diti se si t’i rehatonte këto flukse të forta financiare dhe politike duke balancuar fetarisht dhe etnikisht gjithnjë pushtetin e tij.

Zogu ishte geg dhe kryeministrat ishin gjithnjë toskë. Zogu ishte mysliman dhe ministrat e rëndësishëm ishin gjithnjë ortodoksë e katolikë.

Ai kishte nuhatje të fortë për t’i rregulluar këto çështje që mbanin më këmbë gjithë strukturën e shtetit të sapoformuar.

Në një shekull shtet, Shqipëria ka bërë një udhëtim të çoroditur mes zhvillimeve të brendshme dhe rajonale, por ylli polar ka qenë çështja kombëtare shqiptare. Palët, mbi këtë çështje, janë ndarë në dy pjesë – njëra që argumenton se duhet zhvilluar së pari shteti për të shkuar te kombi, dhe një pjesë që mendon se kombi është epërsor. Këto nuk e përjashtojnë njëra – tjetrën, sipas mendimit tim, sepse një Shqipëri më e fortë, më dinjitoze, më demokratike, me më pak korrupsion, sigurisht që rrezaton siguri dhe është më e gatshme që të marrë përsipër procese të rëndësishme të kombformimit dhe të integrimit kombëtar shqiptar.

Situatën e sotme e dinë të gjithë shqiptarët dhe jemi shumë larg për të qenë kryelartë.

Dy kundërshtarët e Zogut, ndër mendjet më të ndritura të kohës dhe Rilindasit e fundit, Faik Konica dhe Fan Noli, pas betejave të paepura politike me Mbretin, në fund të jetës i dhanë të drejtë në shumë prej politikave që ai kishte ndjekur.

Sot ndihem krenar që jam nip i dy patriotëve të mëdhenj shqiptarë që kontribuan në pavarësi dhe shtetformim: Hysni Toskës, komandant i parë i Xhandarmërisë me shpalljen e pavarësisë dhe organizator më 23 korrik 1912 i Kuvendit të Sinjës, ku u përpilua memorandumi që kërkonte një administratë shqiptare për të gjitha trevat, në të katërta vilajetet; Muharrem Bajraktarit, Kolonel i Përgjithshëm i Xhandarmërisë nën Monarki, si dhe Barjaktar i Lumës – të cilët dhanë kontributin e tyre për Pavarësinë e vendit, Monarkinë dhe kundërshtarë të paepur të komunizmit në Shqipëri. Hysniu si një patriot që kundërshtoi dominancën greke në jug të vendit dhe Bajraktari si ndjekës i idealeve të të atit, Vjetpjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit.

Që në krye të herës, Zogu dhe paria e kohës e panë se komunizmi në Shqipëri ishte instrumenti që sllavët kërkonin dominancën e tyre politiko-ekonomike në trojet etnike shqiptare. Ata ja arritën ta marrin pushtetin me ndihmën e konjukturave gjeopolitike të kohës në Lindje e Perëndim dhe pasojat po i ndjejmë ende sot. Komunizma ishte triumfi i nacionalizmit sllav në Shqipëri, zogizma është ndjekja e idealeve shqiptare në Shqipëri e troje.

Sërish, koha sot është ta tejkalojmë zogizmën dhe komunizmën, duke shkuar te një arkitekturë e re shtetërore e kombëtare, për të shtuar jetën me dinjitet të shqiptarëve dhe një politikë mjeshtërore për mbështetjen e çështjes shqiptare në Ballkan.

Zogu ishte strategu i madh, por ai mësoi nga librat, punët, djersa dhe ideali i Arkitektëve të mëdhenj të shqiptarisë, korifejtë e Rilindjes sonë Kombëtare.