Kryeministri Edi Rama e ka nisur javën me një sulm ndaj gjyqtarëve, pak kërkesës së tyre për rritje pagash, ndërsa vetëm pak ditë më parë u mbajt seanca në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje.
Përmes një komunikimi në Facebook, Rama thotë se gjykatësit, me kërkesën e tyre për rritje pagash, duan t’i imponohen parlamentit dhe qeverisë, dy pushteteve të tjera.
Sipas kreut të qeverisë, gjyqtarët kërkuan “tinëz” rritjen e pagave, duke tentuar të përfitojnë nga situata politike dhe kalendari zgjedhor.
Rama iu drejtua po ashtu Gjykatës Kushtetues, ku pret ta frenojë këtë lëvizje të gjyqtarëve, pasi në të kundërt, do të ishte një njollë turpi për vendin.
“Tjetri thotë të na vini vlera fikse, si mund t’i lihet ekzekutivit dhe legjislativit, sa herë t’u teket për ta rritur. Pra duhet një sistem reference. Si mund t’i lihet parlamentit, qeverisë, kur ne kemi në dorë çekiçin dhe i bien si të duam ne, thotë ky gjykatësi. Dhe thotë, sistemi i referencës më i mirë është ai që pasqyron ndryshimet reale, dhe rritjen e çmimeve si ai në 2016. Në 2016 kur zgjidhëm një sistem reference, me qëllimin e mirë që gjykatësve t’u jepnin paga më të larta se të tjerët, për të mbështetur e shpallur me reformën e tyre dhe i ngritëm mbi të gjithë të tjerët, për t’u dhënë sinjal të fortë të vullnetit, për të pasur drejtësi të pavarur, por dhe gjykatës që të ndihen të respektuar, ky thotë, ta bëjmë tani përgjithmonë. Pra, Shqipëria të bëhet vendi ku përjetësisht të marrin paga mbi të tjerët. Kërkojnë 1800 euro rritje për gjyqtarin e Shkallës së Parë, 2000 euro rritje për gjyqtarin e Apelit dhe 3000 euro rritje për gjykatësit e SPAK, BKH. SPAK nuk i është bashkuar kësaj iniciative absurde dhe kjo i bën respekt natyrisht. Këtu jemi, jemi në një situatë ku gjykatësit duhet të imponohen mbi parlamentin, mbi qeverinë, mbi dy pushtetet e tjera, duan të marrin rroga sipas mendimit të tyre.”, tha Rama.