Cilët janë 6 anëtarët e KLGJ-së që shpëtuan Irena Gjokën

Prokuroria e Përgjithshme në një hetim për gjyqtaren Irena Gjoka, doli në përfundimin se gjyqtarja ka qenë e dënuar në Greqi, por nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Kjo bëri që çështja të kalonte në Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili me shumicë votash vendosi që të mos nisë procedurat për verifikimin e saj.

6 anëtarë të KLGJ-së kanë votuar kundër nisjes së verifikimit, dhe ata janë: Yllka Rupa, Ridvan Hado, Markelian Koçaj, Emona Muçi, Klodian Kurushi dhe kreu Ilir Rusi.

Këta gjyqtarë kanë vendosur ta mbrojnë Irena Gjokën pavarësisht se Prokuroria e Përgjithshme vërtetoi se ajo kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit, duke përdorur forcëne  numrave, njëjtë siç po ndodh me mbrojtjen që mazhoranca po i bën Belinda Ballukut.

Që prej akuzave të para ndaj saj, Irena Gjoka deklaronte se nuk kishte dijeni mbi dënimin nga autoritetet greke, por në Maj të 2025, Lapsi.al arriti të sigurojë një dokument që e nxirrte bllof gjykatësen e GJKKO-së. Ky dokument tregonte se ajo jo vetëm e ka ditur se ka qenë e dëbuar dhe e dënuar për kalim kufiri me dokumenta të falsifikuara por ajo ka marrë avokat në Greqi dhe i ka bërë atij prokurë për të kundërshtuar masat ndaj saj.

Tashmë çështja i ka kaluar Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, por votimi i KLGJ-së tregon se drejtësia e re në shumë raste vepron me mendësi të vjetër.