Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë ku kundërshton ndalimin e udhëtimeve jashtë vendit.
Numri dy i qeverisë ka bërë rekurs, pasi GJKKO ka bllokuar pasaportën e saj, duke e ndaluar të udhëtojë jashtë Shqipërisë.
Kujtojmë se zv.kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur më 30 tetor të vitit të kaluar, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me Tunelin e Llogarasë, ndërkohë është nën hetim për Unazën e Madhe.
Më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, por Gjykata Kushtetuese e pezulloi vendimin, duke e rikthyer në detyrë.
SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, por mazhoranca është shprehur se për këtë do të vendoset pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese.