Debate në Konferencën e Kryetarëve, Bardhi akuza Peleshit: Po mbroni korrupsionin e Ramës dhe Ballukut

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Edhe pse në mbledhje do të diskutohej për disa ndryshime të PS në lidhje me Komisionin për Reformën Territoriale, fokusi u zhvendos te çështja Balluku, një ditë pasi Kuvendi shtyu mbledhjen e Këshillit të Mandateve, për imunitetin e numrit dy të qeverisë, pasi mazhoranca është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gazment Bardhi akuzoi kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi se ka shkelur Kushtetutën, ndërsa shtoi se po merr në mbrojtje korrupsionin e kryeministrit, Edi Rama dhe Belinda Ballukut.

“Zoti Peleshi, jeni në shkelje flagrante të Rregullores. E kemi kërkuar pesë herë mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por e keni refuzuar. Vendosët ta mblidhnit më datë 28, por dy orë para mbledhjes, me një urdhër që përmbante të dhëna të rreme, e keni anuluar mbledhjen.

Kështu siç e keni shkruar, edhe pse jam i bindur se nuk e dini se çfarë keni shkruar, i bie që Këshilli të mblidhet pas dy muajsh. Mjafton të lexosh ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, ju thoni që do ta mblidhni Këshillin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Gjykata ka më shumë se dy muaj kohë për t’u shprehur.

Kjo është një sjellje arbitrare dhe argumentet kanë zero bazë, qoftë në Kushtetutë apo në Rregullore. Askund nuk thuhet që Kuvendi duhet të presë të shprehet një institucion tjetër për një çështje që nuk ka lidhje me ne. Ka vetëm një shpjegim: ju keni marrë në mbrojtje korrupsionin e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”- u shpreh Bardhi në mbledhje.