Trump paralajmëron Irakun kundër rikthimit të Nouri al-Malikit si kryeministër

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Irakun kundër rikthimit të Nouri al-Malikit në postin e kryeministrit, duke deklaruar se vendi ra në varfëri dhe kaos të plotë gjatë udhëheqjes së tij të mëparshme.

“Kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë përsëri,” shkroi Trump në rrjetet sociale. Ai shtoi se, për shkak të politikave dhe ideologjive të tij të çmendura, nëse al-Maliki zgjidhet sërish, Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndihmojnë më Irakun.

“Nëse ne nuk jemi aty për të ndihmuar, Iraku nuk ka ASNJË shans për sukses, prosperitet apo liri. TA BËJMË IRAKUN PËRSËRI TË MADH!” shkroi Trump.

Nouri al-Maliki, udhëheqës i Partisë Islamike Dawa, e cila është e afërt me Iranin, ka shërbyer dy mandate radhazi si kryeministër i Irakut nga viti 2006 deri në 2014.

Nga ana e tij, al-Maliki i hodhi poshtë deklaratat e Trump si ndërhyrje e hapur amerikane në punët e brendshme të Irakut, duke u zotuar se do të vazhdojë punën deri në fund.

Sipas Renad Mansour, drejtor i Iniciativës për Irakun në institutin Chatham House në Londër, postimi i Trump sinjalizon “veprime të mundshme të ashpra amerikane” nëse al-Maliki rikthehet në pushtet. Ai shtoi se SHBA po përpiqet të frenojë ndikimin iranian në Irak, veçanërisht në një kohë kur fraksione të mbështetura nga Irani dhe milici të armatosura po garojnë për pushtet.

Paralajmërimi i Trump dhe reagimi i al-Malikit vijnë në një moment kur SHBA po forcon praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke rritur frikën për një përballje amerikano-iraniane që mund ta zhysë rajonin në krizë.

Kush është Nouri al-Maliki?

I lindur në vitin 1950, al-Maliki iu bashkua Partisë Dawa në vitin 1968 dhe u detyrua të largohej nga Iraku në vitet 1979–1980, pasi u dënua me vdekje për kundërshtimin e regjimit të Sadam Huseinit. Ai u rikthye në vend në vitin 2003, pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA, i cili rrëzoi Sadamin, por e futi Irakun në vite trazirash dhe dhune.

Gjatë qeverisjes së al-Malikit, veçanërisht në fund të vitit 2013 dhe në gjysmën e parë të vitit 2014, grupi ekstremist Shteti Islamik (ISIS) pushtoi disa qytete të mëdha irakiane dhe territore të gjera. Kjo detyroi qeverinë të krijonte forca paramilitare të udhëhequra nga shiitët për të luftuar ekstremistët sunitë — grupe të cilat SHBA i ka kundërshtuar vazhdimisht dhe ka kërkuar çarmatimin e tyre.

Al-Maliki është propozuar për postin e kryeministrit nga Korniza e Koordinimit Shiit, e cila mban shumicën parlamentare, duke përmendur “përvojën e tij politike dhe administrative”.

Iraku mbajti zgjedhje parlamentare në nëntor për 329 vende, ku aleancat shiite fituan 187 mandate. Myslimanët shiitë përbëjnë shumicën e popullsisë së vendit.

Presidenti i Irakut, Abdul Latif Rashid, e uroi al-Malikin për nominimin e tij dhe shprehu shpresën se udhëheqja e tij do të forcojë stabilitetin politik dhe zhvillimin e vendit, duke përmbushur pritshmëritë e qytetarëve për siguri dhe shërbime.

Megjithatë, sipas Sajad Jiyad, analist në institutin Century International me bazë në Bagdad, pengesa të shumta mbeten për rikthimin e al-Malikit në pushtet, veçanërisht pas kundërshtimit të hapur nga Trump.

Al-Maliki u mbështet fillimisht nga SHBA kur erdhi në pushtet në vitin 2006, por marrëdhëniet u përkeqësuan gjatë mandatit të tij të dytë, pasi ai u afrua më shumë me Iranin dhe dështoi të frenonte përçarjet sektare.

“Ishte gjatë mandatit të dytë që SHBA vuri re se politikat e tij po bëheshin gjithnjë e më sektare, veçanërisht kundër sunitëve, gjë që çoi në ngritjen e ISIS-it në vitin 2014,” tha Mansour.

Edhe pse u largua nga posti në vitin 2014, al-Maliki mbeti një figurë e fuqishme politike dhe u afrua më tej me fraksione të mbështetura nga Irani.

Në dhjetor, i dërguari special i Trump për Irakun paralajmëroi politikanët irakianë të frenojnë grupet e armatosura jashtë kontrollit shtetëror, duke theksuar se dështimi për ta bërë këtë mund ta shtyjë vendin drejt “fragmentimit dhe rënies”.

Iraku prej vitesh po ecën në një ekuilibër të brishtë mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ndërsa Irani ruan ndikim mbi disa parti të fuqishme, SHBA vazhdon të ketë ndikim të madh, veçanërisht mbi ekonominë irakiane.

Që nga pushtimi i vitit 2003, të ardhurat nga eksportet e naftës së Irakut depozitohen në Bankën Federale të Rezervës në Nju Jork, çka i jep Uashingtonit mbikëqyrje të konsiderueshme financiare.

“Kërcënimet ndaj Irakut janë reale,” tha Jiyad. “SHBA po rrit presionin sepse dëshiron që Bagdadi të rreshtohet më shumë me të.”