SPAK kërkon arrestimin e Ballukut, shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve! Socialistët në pritje të vendimit të Kushtetueses

Është shtyrë mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohej kërkesa e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Vendimi është marrë dje dhe iu është bërë me dije anëtarëve të këtij këshilli.

“Të nderuar anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetit! Ju njoftojmë me Urdhër te Kryetarit nr. 8, date 27.01.2026 shtyrjen e mbledhjes qe do te zhvillohej sot, date 28.01.2026, ora 12:00”.

Mësohet se deputetët e Partisë Socialiste kanë kërkuar që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ballukun.

Ditën e djeshmë anetarët e Gjykatës Kushtetuese nuk dhanë një vendim, duke thënë se kërkonin më shumë kohë, për shkak të kompleksitetit të çështjes.

Kujtojmë se zv.kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur më 30 tetor të vitit të kaluar, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me Tunelin e Llogarasë, ndërkohë është nën hetim për Unazën e Madhe.

Më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, por Gjykata Kushtetuese e pezulloi vendimin, duke e rikthyer në detyrë.

SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, por mazhoranca është shprehur se për këtë do të vendoset pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese.