Ligjvënësit francezë kanë miratuar një projektligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, një masë e mbështetur fuqishëm nga presidenti Emmanuel Macron si mënyrë për të mbrojtur fëmijët nga koha e tepruar para ekranit.
Asambleja Kombëtare, dhoma e ulët e parlamentit francez, e miratoi projektligjin me 130 vota pro dhe 21 kundër, pas një seance të gjatë që zgjati nga e hëna deri të martën në mëngjes. Tani, ligji do të kalojë për shqyrtim në Senat, përpara se të hyjë në fuqi.
Presidenti Macron e cilësoi votimin si një “hap madhor” për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve francezë, përmes një postimi në rrjetin social X.
Legjislacioni parashikon gjithashtu ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme. Nëse miratohet përfundimisht, Franca do të bëhej vendi i dytë në botë që vendos një ndalim të tillë, pas Australisë, e cila ndaloi rrjetet sociale për të miturit nën 16 vjeç në dhjetor.
Me rritjen e përdorimit të rrjeteve sociale, janë shtuar edhe shqetësimet se koha e tepërt para ekranit po dëmton zhvillimin e fëmijëve dhe po kontribuon në probleme të shëndetit mendor.
“Emocionet e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk janë për shitje dhe nuk duhet të manipulohen, qoftë nga platformat amerikane apo algoritmet kineze,” deklaroi Macron në një video të transmetuar të shtunën.
Autoritetet synojnë që masat të zbatohen duke nisur nga viti shkollor 2026 për llogaritë e reja. Ish-kryeministri Gabriel Attal, aktualisht drejtues i partisë presidenciale Renaissance në Asamblenë Kombëtare, shprehu shpresën që Senati ta miratojë ligjin deri në mesin e shkurtit, në mënyrë që ndalimi të hyjë në fuqi më 1 shtator.
Ai shtoi se platformat e rrjeteve sociale do të kenë afat deri më 31 dhjetor për të çaktivizuar llogaritë ekzistuese që nuk përputhen me kufirin e moshës.
Përveç ndikimit të rrjeteve sociale në shëndetin mendor të adoleshentëve, Attal theksoi se masa synon të kundërshtojë edhe “fuqi të caktuara që, përmes rrjeteve sociale, duan të kolonizojnë mendjet”.
“Franca mund të bëhet pioniere në Europë brenda një muaji. Mund të ndryshojmë jetën e të rinjve dhe familjeve tona, madje edhe fatin e vendit në aspektin e pavarësisë,” u shpreh ai.
Autoriteti francez i shëndetit publik, ANSES, deklaroi këtë muaj se rrjete si TikTok, Snapchat dhe Instagram kanë disa efekte të dëmshme për adoleshentët, veçanërisht për vajzat, edhe pse nuk janë faktori i vetëm i përkeqësimit të shëndetit të tyre mendor. Ndër rreziqet përmenden bullizmi online dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dhunshme.
Projektligji përcakton qartë se “aksesi në shërbimet e rrjeteve sociale të ofruara nga platformat online ndalohet për të miturit nën moshën 15 vjeç”. Nga ndalimi përjashtohen enciklopeditë online dhe platformat arsimore.
Për zbatimin e ligjit do të nevojitet një sistem efektiv verifikimi i moshës, për të cilin aktualisht po punohet në nivel europian.
Megjithatë, ligji ka hasur edhe kritika. Deputeti i së majtës radikale La France Insoumise, Arnaud Saint-Martin, e cilësoi ndalimin si “paternalizëm digjital” dhe një përgjigje “tepër të thjeshtëzuar” ndaj ndikimeve negative të teknologjisë.
Të hënën, nëntë organizata për mbrojtjen e fëmijëve u bënë thirrje ligjvënësve që të “mbajnë platformat përgjegjëse”, dhe jo të ndalojnë fëmijët nga përdorimi i rrjeteve sociale.
Macron ka mbështetur gjithashtu ndalimin e telefonave celularë për nxënësit e shkollave të mesme. Në vitin 2018, Franca ndaloi përdorimin e telefonave në shkollat e ciklit të ulët, për nxënësit nga 11 deri në 15 vjeç.
Ish-kryeministrja Elisabeth Borne shprehu rezerva për masën, duke thënë se “është më e ndërlikuar nga sa duket” dhe se fillimisht duhet siguruar zbatimi i plotë i ndalimit ekzistues në shkollat e mesme të ulëta.