Fjalimi megaloman i Ramës dhe ftesa që e çliroi nga “retë e zeza” amerikane

Kishte kaluar kohë nga hera e fundit që kryeministri Rama të shfaqej i qetë dhe i qeshur në Kuvendin e Shqipërisë, sidomos pasi SPAK pezulloi fillimisht dhe më pas kërkoi të arrestojë zëvendësen e tij, Belinda Ballukun.

Ftesa e Donald Trump për të qenë në “Bordin e Paqes” duket se ka ndryshuar humorin e kreut të qeverisë, që prej kohësh marrëdhëniet me SHBA-në duket se i kishte të ngrira, pavarësisht tentativave të tij për ta fshehur, duke ftuar edhe ish-kryebashkiakun e Nju Jork-ut, Eric Adams.

Që prej marrjes së ftesës nga SHBA, Rama nisi propagandën së bashku me socialistët duke gënjyer hapur se ftesa ishte personale dhe se ai do të ishte i vetmi lider nga Ballkani Perëndimor. Por, të gjitha këto u hodhën poshtë dje, pas ftesës që Trump i bëri edhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, e cila sot ishte në Davos ku firmosi edhe pjesëmarrjen në Bordin e Paqes.

Ndërkohë, e justifikoi mospraninë në Davos me faktin se kishte pritur në Shqipëri Ivanka Trump, vajzën e presidentit amerikan, edhe pse Forumi ekonomik në Davos ka ditë që ka nisur, dhe Rama nuk ka qenë asnjë ditë i pranishëm.

Sot, Rama u shfaq në Kuvend më i çliruar se asnjëherë tjetër, madje mbajti dhe një fjalim me tone megalomane, ku tregonte si një fëmijë i lumtur se e kishin ftuar në Shtëpinë e Bardhë.

“Në fillim thatë nuk ka ftesë. Doli ftesa, jo po këtë ftesën e ka e gjithë bota. U ngatërruat pak, nuk e keni idenë si strukturohen grupet ndërkombëtare. Rëndësi që do ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe unë do jem përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi ai para deputetëve.

Fillimisht e nisi me fjalimin e zakonshëm se si kjo qeveri e kishte çuar lart emrin e Shqipërisë, por duke harruar se sa poshtë ka rënë ekonomia e shqiptarëve. Por për të kjo ka pak rëndësi, për sa kohë ai është në qendër të vëmendjes.

Më pas, filloi të tallet me opozitën për faktin se festuan arrestimin e Maduros, edhe pse vetë nuk tha asnjë fjalë mbi arrestimin e ish-liderit të Venezuelës.  Ndoshta Rama as nuk e ka çuar kurrë nëpër mend se vërtet ushtria amerikane do të vinte edhe për të, por me siguri që e ka kuptuar mirë se çfarë do të thotë të ngatërrohesh me SHBA-në dhe me Donald Trump, për të cilin ka deklaruar se ishte “e keqja e madhe e Amerikës”.

Por kulmi i fjalimit të tij ishte krahasimi që i bëri vetes me Presidentin Donald Trump, kur tha se të hënën e ardhshme do t’i drejtohej Parlamentit të Izraelit në të njëjtin format që iu rezervua para disa kohësh Presidentit të SHBA-ve.

“Të hënën e ardhshme do i drejtohem Parlamentit të izraelit si kryeministër i Shqipërisë, por pa lejen e këtyre kuptohet, në të njëjtin format që iu rezervua para disa kohësh Presidentit të SHBA-së”, tha Rama.

Fjalimit nuk mund t’i mungonte edhe sulmi për SPAK, këtë herë jo për Belinda Ballukun, për të cilën nuk ka guxuar kurrë të thotë se është e pafajshme, por për Erion Veliajn, për të cilin tha se po e mbajnë në burg pa prova.

“SPAK është bërë si sportel. Ka qenë një sportel pas Kryeministrisë kur bënim stërvitje dhe aty liheshin; letrat nga populli. Kështu është bërë SPAK. Dhe Tony Blair e keni çuar në SPAK. Nuk doli gjë. Tani çoni prapë Tony Blair se kush e di del ndonjë provë si ato që mbajnë në burg pa gjyq lali Erin për të cilin janë shkruar tre volume. SPAK është stacioni i fundit i rrugës së shpresës së tuaj për pushtet”, tha ai.

Në fund, një ofendim për opozitën, që nëse do të ishte bërë nga këta të fundit do të ishin përjashtuar me disa ditë, ndërsa për kryeministrin është kthyer në një gjë të zakonshme.,

“Dhe atyre që na besojnë, por edhe atyre që hezitojnë të na besojnë, unë u them vetëm kaq: kini besim dhe jini të bindur se ne do të ngjitemi aty ku jemi nisur, duke u rritur ekonomikisht, duke u forcuar shtetërisht dhe duke u vlerësuar edhe më shumë ndërkombëtarisht. Dhe mos e harroni kurrë: sa më shumë lehin qentë, aq më përpara ka shkuar karvani dhe aq më e madhe është bërë distanca mes karvanit dhe qenve”.

Dukej qartë se i gjithë ky frymëzim i sotëm kryeministrit i kishte ardhur nga ftesa që mori nga Presidenti Donald Trump, por ky i fundit deklaroi se disa liderë të ftuar në Bordin e Paqes nuk i duron dot.

Të jetë Rama një prej tyre?