Gjykata Kushtetuese do të mblidhet këtë të enjte për të shqyrtuar ankimin e dorëzuar nga Edi Rama ndaj vendimit të (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres, Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK.
Mbledhja pritet të nisë në orën 10:00 dhe do të zhvillohet në seancë publike.
Mësohet se SPAK do të përfaqesohet në Kushtetuese nga dy prokuroret e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Presidenti i Republikës do të përfaqësohet nga Ilir Rusmali këshilltar, Hemioni Braho shef kabineti dhe Eriola Shia Drejtore e përgjithshme, ndërsa Kuvendi nga drejtoresha juridike, Mimoza Arbi.
Kujtojmë se zv.kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur më 30 tetor të vitit të kaluar, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me Tunelin e Llogarasë, ndërkohë është nën hetim për Unazën e Madhe.
Më 20 Nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, por Gjykata Kushtetuese e pezulloi vendimin, duke e rikthyer në detyrë.
SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, por mazhoranca është shprehur se për këtë do të vendoset pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese.