Trump nxjerr blof Ballën! Rama nuk është i vetmi lider nga Ballkani në Bordin e Paqes, ftesë edhe Vjosa Osmanit

Kryeministri Edi Rama nuk është i vetmi lider i rajonit që është ftuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, në Bordin e Paqes për Gazën.

Mësohet se pjesë e këtij bordi, do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka marrë ftesë nga presidenti i SHBA-ve.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-në në misionin për një botë më të sigurt”, shkroi Osmani në Facebook.

Kjo ftesë ka nxjerr blof kreun e grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili në seancën e të hënës, tha se kryeministri Edi Rama është i vetmi lider nga rajoni që ëshët ftuar nga Trump për te përfaqësuar vendin në Bordin e Paqes.

“Nuk është fare rastësi që nuk janë asnjëri prej krryeministrave dhe presidentëve të tjerë të Ballkanit Perëndimor”- tha Balla mes të tjerash.

Siç duket, Balla nuk ka qenë i mirëinformuar, ose nga gëzimi nxitoi të bënte këtë deklaratë, ndërsa deputetë e ministra të PS në rresht shpërndan në Facebook ftesën ndaj kryeministrit shqiptar, duke u krenuar me të, dhe duke e “shitur” këtë ftesë si një sukses historik.

Sikur të mos mjaftonte Balla, po të njëjtën ditë, ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali doli në një deklaratë për mediat, duke lavdëruar kryeministrin Edi Rama.

Gjatë konferencës, Spiropali tha se në letrën e Trump, shkruhet se Rama është një lider i respektuar botërisht.

“Nuk ka dyshim se ftesa e Presidentit të Amerikës është edhe një vlerësim i drejtëpërdrejtë për lidershipin e Kryeministrit Edi Rama, i cili është ftuar personalisht si anëtar i ‘Bordit të Paqes“, tha Spiropali.