Agron Shehaj: Rama kërkon t’i shpëtojë drejtësisë me letrën që i ka shkuar edhe Lukashenkos

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka folur jashtë Parlamentit pas përfundimit të seancës plenare, që u shoqërua me tensione të shumta. Ai ka hedhur akuza ndaj Belinda Ballukut dhe Edi Ramës, në lidhje me hetimet që po zhvillon Prokuroria e Posaçme.

Shehaj tha se në Parlament vijon turpi, për sa kohë aty ulet zv.kryeministrja të cilën SPAK kërkon që ta arrestojë.

Ai u ndal edhe te ftesa që Presidenti Trump i ka dërguar kryeministrit Rama. Sipas tij, këtë ftesë, të cilën e ka marrë edhe Lukashenko i Bjellorusisë, Rama kërkon ta përdorë për t’i shpëtuar drejtësisë.

“E kanë si shpëtim nga drejtësia, thonë ‘nuk do na kapin më, nuk do na fusin më në burg’. Ky është thjesht një mashtrim”, u shpreh Shehaj.

Për kreun e Mundësisë, 22 Janari do të jetë data kur Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim historik për vendin. “Në datën 22 janar GJK duhet të vendosë nëse jemi të gjithë të barabartë para ligjit, nëse një pushtetar që kapet duke vjedhur duhet të shkojë në burg apo jo”.

Ai tha se qytetarët shqiptarë kërkojnë fundin e korrupsioni dhe të gjithë të korruptuarit duhet të përfundojnë në burg.

“Ose do vijojmë të jemi një vend i korruptuar ku ata që vjedhin nuk ndëshkohen, ose do marrë fund pandëshkueshmëria në Shqipëri. Të gjithë qytetarët i duan të korruptuarit në burg”, përfundoi Shehaj.