Sipas dokumenteve zyrtare, Durana do të ishte parku i parë teknologjik dhe shkencor në vend, një zonë e dedikuar për kompani IT, startup-e, qendra kërkimi, universitete dhe investitorë të huaj, e ndërtuar në një sipërfaqe prej rreth 26 hektarësh në zonën Xhafzotaj–Durrës.
Por, “Durana Tech Park” po zbërthehet dita-ditës si një projekt që ekziston më shumë në letra sesa në realitet, teksa vëmendja është përqendruar kryesisht te kompanitë e regjistruara, përfitimet fiskale dhe mungesa e aktivitetit real në terren.
Ligji i miratuar fillimisht nuk i mundësonte kompanive të regjistruara në “Durana” të përfitonin nga lehtësirat fiskale nëse operonin jashtë këtij parku, por edhe kësaj pengese qeveria ia ka gjetur zgjidhjen.
Deputeti socialist Ramion Kurti propozoi dy ndryshime për ligjin për parqet teknologjike, që duket se i hapin rrugën asaj që sot konsiderohet si aferë.
Emrin e tij mbase e keni dëgjuar shumë pak, pasi ka folur vetëm 1 herë në Parlament, teksa edhe më e çuditshme është se si një deputet i Fierit mendon të bëjë ligje për zonën e Durrësit, a thua se s’ka 8 deputetë PS për atë qark.
Ndryshimet e propozuara prej tij prekën dy shtylla themelore: mënyrën se si një kompani konsiderohet pjesë e parkut dhe mënyrën se si ajo mund të përfitojë nga fondet publike.
Ndryshimi i parë dhe ndoshta më problematiku, ishte legalizimi i regjistrimit formal të kompanive në park, edhe nëse aktiviteti real i tyre zhvillohej jashtë tij. Me formulimin e ri, një subjekt mund të ishte “rezident” i parkut përmes një strukture apo adrese formale, ndërkohë që prodhimi, shërbimet, punonjësit dhe qarkullimi real të ndodheshin diku tjetër.
Ky amendim përmbysi logjikën fillestare të ligjit, sipas së cilës përfitimet fiskale justifikoheshin vetëm nëse aktiviteti zhvillohej realisht brenda territorit të parkut dhe kontribuonte në krijimin e një ekosistemi teknologjik funksional.
Në këtë mënyrë, parku teknologjik pushoi së qeni një hapësirë reale zhvillimi dhe u shndërrua në një status ligjor. Pikërisht ky status është ajo që sot e mban në këmbë “Duranën”: një park që në terren nuk ofron infrastrukturë, por në letra ofron përjashtime dhe privilegje.
Por ndryshimi i dytë i propozuar nga Ramion Kurti e thelloi edhe më shumë problemin. Ai i hapi rrugë kompanive të regjistruara në park që të shesin produktet dhe shërbimet e tyre drejtpërdrejt institucioneve publike, një ndryshim që lidh përfitimet fiskale me aksesin në paratë publike.
Kombinimi i këtyre dy ndryshimeve krijon një skemë të mbyllur dhe të rrezikshme: kompani që regjistrohen formalisht në një park pa aktivitet real, përfitojnë regjim fiskal preferencial dhe më pas kanë derë të hapur për të marrë kontrata publike. Shteti në këtë model nuk është më rregullator, por klient i bizneseve që vetë ai i ka favorizuar me ligj.
Pyetja që shtrohet nuk është më nëse “Durana” është problematike, por pse ligji u ndërtua në këtë formë. Pse u lejua që parqet teknologjike të kthehen në adresa formale? Pse u lidhën përfitimet fiskale me aksesin në institucionet publike?
Në rastin e “Duranës”, ligji duket se është përshtatur për t’i dhënë formë një skeme nga e cila do të përfitojnë vetëm bizneset.
Propozimi i Ramion Kurtit: