Njihuni me destinacionin kulturor më të mirë të Europës për 2026

Nikozia është shpallur destinacioni numër një për kulturë në Europë për vitin 2026, sipas vlerësimit të European Best Destinations.

Kryeqyteti i Qipros u vlerësua veçanërisht për programin e tij njëvjeçar të festivaleve dhe aktiviteteve kulturore, që e kanë kthyer qytetin në një pikë referimi për artin dhe trashëgiminë në kontinent.

Zhvillimi i fluturimeve me kosto të ulët ka ndryshuar mënyrën se si udhëtojmë, duke i bërë pushimet e shkurtra në qytetet europiane më të aksesueshme.

Sot, gjithnjë e më shumë udhëtarë po zgjedhin përvoja kulturore, duke vizituar muze dhe vende historike, përpara se të shijojnë kuzhinën lokale.

Për ata që po planifikojnë një udhëtim urban në 2026, Nikozia renditet në krye të listës.

European Best Destinations, platformë që që prej vitit 2009 rendit destinacionet më të mira të Europës për pushime kulturore, plazhe, ski apo udhëtime rrugore, e ka zgjedhur kryeqytetin qipriot si destinacionin kulturor të vitit.

Nikozia u vlerësua për “kombinimin e trashëgimisë historike me krijimtarinë bashkëkohore”. Qyteti është kompakt dhe i përshtatshëm për t’u eksploruar në këmbë.

I banuar pa ndërprerje që nga viti 3000 para erës sonë, Qyteti i Vjetër i Nikozisë ofron një zhytje të drejtpërdrejtë në histori, i rrethuar nga muret veneciane të shekullit XVI.

Vizitorët mund të lëvizin lehtësisht mes muzeve dhe galerive, si Muzeu i Artit Bizantin, Muzeu Leventis që pasqyron historinë e qytetit, apo Muzeu i Qipros, muzeu i parë arkeologjik i vendit.

Po ashtu, qyteti u vlerësua për programin e pasur vjetor të eventeve muzikore, të kërcimit, filmit dhe artit, që konsiderohen thelbësore për identitetin e tij kulturor.

Në renditjen europiane pas Nikozisë, vendi i dytë i takoi Firences, ndërsa Vjena u rendit e treta.

Dhjetëshja e parë përfshin gjithashtu Leuven (Belgjikë), Šibenik (Kroaci), Verona (Itali), Tomar (Portugali), Rouen (Francë), Oxford (Mbretëria e Bashkuar) dhe Graz (Austri).  Shqip.al