Kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar një pjesë nga dosja hetimore e hakërimit të sistemit të Prokurorisë së Posaçme.
Në pjesën e publikuar nga Berisha, është biseda mes dy të pandehurve, Arnold Rrokaj dhe Zambak gjoni, që komunikonin me njëri tjetrin.
Sipas asaj që tregohet në bisedë, Rrokaj i dërgon mesazh gjonit, ku sipas Berishs përmendet edhe kryeministri Edi Rama. Për Berishën, kreu i qeverisë është edhe autori i vërtetë që ka organizuar dhe urdhëruar hakërimin e dosjeve të SPAK.
Pjesa nga dosja:
Në datën 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj i dërgon Zambak Gjonit një foto që duket si faqe interneti, nga e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK. Më pas, ai i dërgon një SMS me përmbajtjen:
“A mos e hapsha dot“.
Më tej, Arnold Rrokaj i dërgon sërish një SMS Zambak Gjonit:
“Se do i shkruaj Ramës… hajt tu qim ropt”.
Nga përmbajtja e këtij komunikimi krijohet bindja e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së dokumenteve te persona të tretë.
Në vijim, në datën 21 shkurt, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi, ndërsa Arnoldi shprehet: “Ja ta shikoj njëherë. Po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka. Nga këta që kam unë, s’e ka njeri.”