Sondazh i CNN: 75% e amerikanëve kundër marrjes nën kontroll të Grenlandës nga SHBA

Tre të katërtat e amerikanëve kundërshtojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të marrë nën kontroll Grenlandën, tregon një sondazh i CNN i realizuar, duke sinjalizuar rezistencë të fortë publike ndaj përpjekjeve të presidentit Donald Trump për zgjerimin e territorit amerikan.

Sipas sondazhit, vetëm 25% e amerikanëve e mbështesin një veprim të tillë ndaj territorit danez. Edhe brenda elektoratit republikan, qëndrimet janë të ndara: 50% e republikanëve dhe të pavarurve që anojnë nga Republikanët janë pro, ndërsa 50% janë kundër. Ndërkohë, demokratët dhe të pavarurit që anojnë nga Demokratët janë pothuajse unanimisht kundër, me 94% që e kundërshtojnë idenë, përfshirë 80% që shprehen fuqishëm kundër saj. Rreth 80% e të pavarurve që nuk anojnë nga asnjë parti janë gjithashtu kundër.

Presidenti Trump deklaroi të mërkurën në platformën e tij Truth Social se “çdo gjë më pak” se kontrolli amerikan mbi Grenlandën është “e papranueshme”. Kjo deklaratë erdhi përpara një takimi në Shtëpinë e Bardhë mes zyrtarëve danezë, Zëvendëspresidentit JD Vance dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, takim që duket se nuk i afroi palët drejt një marrëveshjeje.

Sondazhi tregon gjithashtu pak mbështetje për një politikë më të gjerë ekspansioniste të SHBA-së, në një kohë kur Trump ka lavdëruar kapjen ushtarake të presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe ka deklaruar se SHBA-ja do ta “drejtojë” vendin, ndërsa ka kërcënuar edhe udhëheqjen iraniane për shtypjen e dhunshme të protestave.

Gati 60% e amerikanëve shprehen të shqetësuar se Trump ka shkuar shumë larg në përpjekjet për të zgjeruar ndikimin amerikan mbi vende të tjera. Vetëm një e treta mendojnë se veprimet e tij kanë qenë të balancuara. Ndërkohë, 55% thonë se presidenti ka shkuar tashmë shumë larg në përdorimin e ushtrisë për të arritur qëllimet e tij. Për më tepër, 57% besojnë se politikat e jashtme të Trump gjatë këtij mandati kanë dëmtuar pozitën e SHBA-së në botë, nga 53% që mendonin kështu verën e kaluar.

Sipas sondazhit, 52% e amerikanëve kundërshtojnë vendimin e SHBA-së për ndërhyrje ushtarake në Venezuelë, ndërsa 48% e mbështesin atë. Ekziston shqetësim i gjerë për stabilitetin e qeverisë venezueliane dhe frikë se prania ushtarake amerikane mund të zgjasë për një kohë të gjatë.

Përpara vizitës së planifikuar të lideres së opozitës venezueliane, María Corina Machado, në Shtëpinë e Bardhë, 58% e amerikanëve shprehen kundër përpjekjeve të SHBA-së për të kontrolluar veprimet e qeverisë së Venezuelës pas largimit të Maduros nga pushteti. Në këtë pikë, kundërshtimi i fortë (31%) tejkalon mbështetjen e fortë (13%).

Shumica e amerikanëve nuk janë të bindur se veprimet amerikane në Venezuelë do të çojnë në një qeveri të qëndrueshme brenda një viti, ndërsa rreth dy të tretat mendojnë se është të paktën disi e mundshme që ndërhyrja të çojë në një dislokim afatgjatë të trupave amerikane.

Qëndrimet partiake janë diametralisht të kundërta: 80% e demokratëve dhe të pavarurve që anojnë nga Demokratët kundërshtojnë ndërhyrjen ushtarake, ndërsa 80% e republikanëve dhe të pavarurve që anojnë nga Republikanët e mbështesin atë. Megjithatë, demokratët shprehen më fort kundër përpjekjeve për të kontrolluar qeverinë venezueliane pas largimit të Maduros.

Sondazhi sugjeron gjithashtu se shumica e amerikanëve e shohin aksesin e SHBA-së në naftën venezueliane dhe demonstrimin e fuqisë ushtarake amerikane si faktorë kyç në vendimin për ndërhyrje, ndërsa më pak i besojnë arsyeve zyrtare të përmendura nga qeveria, si nxjerrja e Maduros për gjykim në SHBA apo reduktimi i trafikut të drogës.

Vetëm 26% e të anketuarve mendojnë se përmirësimi i jetës së qytetarëve venezuelianë ka qenë një faktor kryesor në vendimin e SHBA-së për të vepruar.