Burgjet jashtë kontrollit, anëtari i “Bandës së Babagjyshëve” ankohet në Instagram se nuk e lënë të promovojë librin, nisin kontrollet në qeli

Pas arratisjes spektakolare të një dite më parë të të burgosurit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit, një tjetër incident ka ndodhur ditën e sotme në një tjetër burg, atë të Burrelit.

Fatmir Pjetri, anëtari i “Bandës së Babagjyshëve” që vuan dënimin në burgun e Burrelit, ka publikuar në Instagram një audioregjistrim, në të cilin akuzon Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.

Ai thotë se po diskriminohet nga Drejtoria e Burgjeve, pasi këta të fundi nuk e lejojnë të promovojë librin që ka shkruar, me titull “Jetë e guximshme”, me arsyetimin se përmban akte dhune.

Por pas publikimit të audios në rrjetet sociale, në burgun e Burrelit ka nisur një kontroll i imtësishëm në qelinë u qëndron Fatmir Pjetri. Deri më tani nuk ka asnjë njoftim në lidhje me rezultatet e kontrollit, teksa dyshohet se audio është regjistruar me aparat celular.