Një i burgosur, i shtruar në infektivin e spitalit të Durrësit për probleme shëndetesore, është arratisur këtë të martë.
Mësohet si i arratisuri është Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK dhe i akuzuar për 4 vrasje në qytetin e Durrësit.
Ndoci ishte shtruar në spitalin e infektivit në Durrës duke përfituar nga ky moment për t’u arratisur, ndërsa nuk dihet ende se kush e ka ndihmuar për të ekzekutuar planin e tij.
Altin Ndoci është i akuzuar për vrasjen e dy vëllezëve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës.
Po ashtu, Ndoci akuzohet edhe për vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdyli, po në qytetin e Durrësit.
Ai konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftojnë Burgjet për arratisjen e Ndocit.