Projekti “Durana Tech Park” u prezantua publikisht nga qeveria si një nga nismat më ambicioze të dekadës së fundit për transformimin e ekonomisë shqiptare drejt teknologjisë dhe inovacionit.
Sipas dokumenteve zyrtare, Durana do të ishte parku i parë teknologjik dhe shkencor në vend, një zonë e dedikuar për kompani IT, startup-e, qendra kërkimi, universitete dhe investitorë të huaj, e ndërtuar në një sipërfaqe prej rreth 26 hektarësh në zonën Xhafzotaj–Durrës, pranë korridorit kryesor rrugor dhe hekurudhor. Projekti u përfshi në kuadrin ligjor të posaçëm të miratuar nga Kuvendi dhe u formalizua me vendim të Këshillit të Ministrave në mars 2024, duke i dhënë status të veçantë juridik dhe fiskal.
Në letër, gjithçka dukej e qartë: shteti do të krijonte infrastrukturën bazë, Korporata e Investimeve Shqiptare do të vepronte si zhvilluese, ndërsa kompanitë që do të vendoseshin në park do të përfitonin lehtësira fiskale të jashtëzakonshme për një periudhë të gjatë kohore. Dokumentet zyrtare parashikojnë përjashtim nga tatimi mbi fitimin për deri në 15 vite, përjashtim nga TVSH për pajisje teknologjike, lehtësi në tatimin mbi pagat dhe procedura të përshpejtuara administrative.
Por analiza e dokumenteve dhe mënyrës se si projekti u vu në zbatim ngre një sërë pikëpyetjesh serioze mbi natyrën reale të Durana Tech Park dhe mbi mënyrën se si po përdoret statusi i tij. Plani zyrtar i zhvillimit, i publikuar nga vetë institucionet shtetërore, tregon qartë se infrastruktura fizike e parkut është në fazë konceptuale dhe projektimi, jo në funksionim real. Godinat, laboratorët, hapësirat e punës dhe shërbimet mbështetëse që justifikojnë ekzistencën e një parku teknologjik janë të parashikuara për t’u ndërtuar në faza të mëvonshme, pa afate të qarta dhe pa garanci konkrete për përfundimin e tyre në një periudhë të shkurtër.
Megjithatë, pavarësisht kësaj gjendjeje faktike, qeveria dhe strukturat përgjegjëse kanë hapur procesin e certifikimit të kompanive si “pjesë e Durana Tech Park”. Në prill 2025, dhjetëra subjekte private u prezantuan publikisht si anëtare apo përfituese të parkut, duke marrë certifikata që u japin akses të drejtpërdrejtë në regjimin fiskal preferencial.
Dokumentet tregojnë se për shumë prej këtyre subjekteve, aktiviteti real vazhdon të kryhet në Tiranë apo zona të tjera të vendit, ndërsa lidhja me Durana-n konsiston kryesisht në një adresë formale ose regjistrim administrativ.
Gjatë intervistës së dhënë në Syri TV, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj hodhi akuza lidhur me mënyrën e funksionimit të Durana Tech Park. Ai deklaroi se një numër i konsiderueshëm kompanish janë regjistruar në park vetëm formalisht, pa aktivitet real në territorin e tij, duke përfituar nga lehtësirat fiskale të parashikuara nga ligji. Sipas Ahmetajt, kjo skemë lejon që subjekte të mëdha ekonomike të ulin barrën tatimore përmes një regjistrimi administrativ, pa ndryshuar realisht vendndodhjen apo natyrën e aktivitetit të tyre.
Por kush janë kompanitë që po përfitojnë nga lehtësitë fiskale të “Durana Tech Park”?
Mes përfituesve janë edhe Ermal Beqiri dhe Ergys agasi, dy biznesmenët e shpallur në kërkim për dosjen “AKSHI”, për të cilët SPAK ka kërkuar masë sigurie “arrest me burg”, për disa vepra penale: pastrim parash, shkelje e barazisë në tendera e kryer në formën e bashkëpunimit të grupit kriminal, heqje e paligjshme e lirisë, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
Gjithashtu nga “Durana” kanë përfituar edhe biznesmenët Bledar Dhima, Gëzim Hoxha, Jona Bojdari, Sara Aga, Rigels Hoxha, Kreshnik Rexha, Arjola Koromani, Ervid Mançe, Renis Tërshana, Gjergji Robo, Elon Ciko, Henklajd Sadushi, Xheni Kobuzi, së bashku me Fiona Fullanin, vajzën e ish-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, si dhe Armand Sharra me kompaninë TAG Engineering.

