Meloni: Nëse SHBA-ja hyn në Grenlandë, s’do ta mbështesim!

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar se nuk beson që Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përdorin forcën ushtarake për të pushtuar Groenlandën, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për NATO-n.

Në një konferencë për shtyp, Meloni theksoi nevojën për një prani “serioze dhe domethënëse” të NATO-s në rajonin e Arktikut, përfshirë edhe Groenlandën.

“Unë vazhdoj të mos besoj në hipotezën se Shtetet e Bashkuara do të nisin një veprim ushtarak për të marrë kontrollin e Groenlandës, një opsion që unë qartësisht nuk do ta mbështesja”, tha Meloni.

“Unë besoj se nuk do të ishte në interesin e askujt. Mendoj se nuk do të ishte as në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të qenë e qartë”, shtoi ajo.

Deklaratat e saj vijnë pas një operacioni ushtarak amerikan gjatë fundjavës, në të cilin u kap udhëheqësi i Venezuelës, ngjarje kjo që ka ringjallur shqetësimet rreth qëllimeve të SHBA-së ndaj Groenlandës.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se SHBA-të po shqyrtojnë një sërë opsionesh për të blerë Groenlandën, përfshirë edhe përdorimin e forcës ushtarake.

Meloni, e cila shihet si një nga aleatët më të ngushtë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në Evropë, tha se ishte “e qartë për të gjithë” se çdo veprim i SHBA-së në Groenlandë do të kishte një ndikim të madh në NATO. Sipas saj, kjo është edhe arsyeja pse ajo nuk mendon se Uashingtoni do të ndërmarrë një hap të tillë.

Megjithatë, ajo theksoi se është e rëndësishme që NATO të rrisë praninë e saj në rajonin e Arktikut, duke shtuar se i kupton shqetësimet e SHBA-së për nevojën e parandalimit të “ndërhyrjes së tepërt nga aktorë të tjerë që mund të jenë edhe armiqësorë”.