“Një burrë u gjet i mbytur të enjten në qytetin shqiptar të Durrësit, ndërsa ekipet e emergjencës punuan pa ndërprerje për të evakuuar dhjetëra persona nga banesat e përmbytura si pasojë e reshjeve të dendura të shiut”.
Kështu e nis shkrimin Reuters, duke u ndalur te situata e rëndë si pasojë e motit të keq në Shqipëri dhe në Ballkan.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me probleme serioze që prej së dielës, për shkak të borës dhe kushteve të tjera të rënda dimërore, duke përfshirë mbylljen e rrugëve dhe linjave hekurudhore, ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me furnizimin me ujë të pijshëm.
Ekipet e emergjencës kanë përdorur varka për të evakuuar banorët e bllokuar në shtëpitë e përmbytura në zonat përreth qyteteve të Fierit dhe Vlorës, në jugperëndim të Shqipërisë, pasi lumi Vjosa u rrit në mbi 9 metra, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Një punonjës bashkiak 55-vjeçar, i cili ishte raportuar i zhdukur që prej të martës, u gjet i pajetë në një kanal kullues në Durrës. Sipas Ministrisë së Brendshme, dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e fortë e ujit.
Shërbimet e emergjencës bënë të ditur se po punojnë për të larguar ujin nga rreth 800 banesa dhe objekte, ndërsa rreth 300 persona janë strehuar në ambiente të ushtrisë dhe policisë”- shkruan Reuters duke u ndalur edhe te situata në rajon.
Në Kosovën fqinje, ku zona të gjera toke janë përmbytur ditët e fundit, reshjet e shiut u zëvendësuan nga bora të enjten. Edhe Bosnja është goditur nga reshjet e borës.
“Është shumë e vështirë të funksionosh në këto kushte; rrugët nuk janë pastruar, sidomos për këmbësorët,” tha Armin Hasanoviç, banor i kryeqytetit boshnjak, Sarajevë.
Në kryeqytetin kroat, Zagreb, të enjten në mëngjes u regjistrua një temperaturë prej -14 gradë Celsius, ndërsa meteorologët parashikojnë një valë të re të ftohti të dielën, me temperatura edhe më të ulëta.