Një zjarr masiv përfshiu mbrëmë tregun që ndodhet në rrugën “5 Maji” në Tiranë, ku për pasojë u shkrumbuan 50 subjekte që ushtronin aktivitetin e tyre në atë treg.
Zjarri ra fillimisht në një prej kapanoneve që kishte brenda materiale tekstile, dhe u përhap me shpejtësi edhe në kapanonin e dytë.
Edhe ndërhyrja e shpejtë e forcave zjarrfikëse e bëri të pamundur shuarjen e zjarrit, që vijoi deri mëngjesin e sotëm.
Fatmirësisht nga flakët nuk pati asnjë të lënduar, por dëmet ekonomike janë të mëdha. Pjesa më e madhe e pronarëve të bizneseve janë shprehur jashtë kamerave se i kishin të pasiguruar, duke e bërë edhe më të vështirë gjendjen e tyre.
Kreu i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, u shpreh se nuk ka indicie që zjarri të jetë i qëllimshëm, por në rrjetet sociale ka patur edhe akuza të tjera, ku thuhet se tregu është djegur për t’ia lënë vendin ndërtimit të kullave.
Sipas këtyre denoncimeve, ka patur disa tentativa për të bindur tregtarët që të zhvendoseshin që aty, në mënyrë që trualli të jepej për ndërtim, por ata nuk kanë pranuar, ndaj është bërë edhe zjarrvënia e qëllimshme.
Ndërkohë, policia po heton të gjitha pistat e mundshme, teksa deri më tani dyshimi është se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.