Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas përmbytjeve masive në këtë qark, si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit.
Mësohet se Prokuroria ka nisur hetimet për “ shkatërrim të pronës përmes përmbytjes”. Organi i akuzës ka dyshime se shkak për përmbytjet është hidrovori, pasi ky i fundit dyshohet se nuk funksionon me kapacitet të plotë.
Qarku i Durrësit ishte më i prekuri si pasojë e reshjeve të shiut, ndërsa situata paraqitet më e rëndë në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen.
Në Durrës u regjistrua edhe viktima e parë nga përmbytjet. Astrit Hysenaj, 54 vjeç, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, u gjet i pajetë në një kanal në zonën e ish-repartit ushtarak. Humbja e jetës ka ardhur si pasojë e rrjedhës së fuqishme të ujit të shkaktuar nga reshjet intensive.
Në ditën e tretë të përmbytjeve në Durrës, përllogariten mbi 1 mijë banesa të përmbytura, dhe 335 biznese të dëmtuara.