Shou-t qeveritar nuk mund t’i mungonte Belinda Balluku, zv.kryeministrja rikthehet pas disa javësh “e zhdukur”

Spektaklit të qeverisë me përmbytjet nuk mund t’i mungonte as Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka gati fletën e arrestit dhe po pret vetëm aprovimin nga Kuvendi për heqjen e imunitetit.

Pas javësh “e zhdukur” nga ekrani, ajo është rikthyer sot duke u shfaqur për publikun nga Ura e Mifolit, ku situata është e rëndë nga përmbytjet dhe banorët kanë nisur të evakuohen.

Balluku është shfaqur krah ministrave Pirro Vengu dhe Andis Salla, të cilët kishin shkuar para saj në vendngjarje.

Duke folur për mediat, ajo tha se nesër do të mblidhet Komiteti i emergjencave dhe kryeministri Rama do të mbajë një fjalim për zgjidhjen e situatës.

“Kemi angazhimin edhe për shpëtimin e gjësë së gjallë. Kryeministri po dizenjon një paketë që do garantojë dëmshpërblimin si për pjesën bujqësore dhe banesat. Nesër do ketë një mbledhje të komitetit të emergjencave ku do bëhet edhe një adresim nga kryeministri jo vetëm për zgjidhjen e situatës, por edhe për aspektet e rëndësishme që duhen bërë të ditura. Në këtë moment u bëjmë thirrje dhe kërkojmë qytetarëve t’u përgjigjen thirrjeve të emergjencave civile. Duhet të marrim masa edhe më të shpejta se situata që mund të agravojë. Kemi shpresë për një rënie të Vjosës që afektohet edhe nga reshjet në Greqi në këto momente, por shpresojmë në orët e ardhshme”, tha ajo.