Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas evidentimit të dallimeve të theksuara në deklarimet e saj të pasurisë për vitet 2024 dhe 2025.
Hetimi administrativ ka filluar pasi janë vërejtur mospërputhje në të dhënat e deklaruara në formularët zyrtarë të pasurisë për zyrtarët e lartë publikë. Sipas këtyre burimeve, ndryshimet lidhen kryesisht me rritjen e kursimeve dhe shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara.
Në dokumentacionin e dorëzuar për vitin 2025 vërehen lëvizje të konsiderueshme financiare krahasuar me një vit më parë, çfarë ka nxitur Agjencinë Kundër Korrupsionit të ndërmarrë verifikime shtesë.
Presidentja Osmani së fundmi ka blerë një shtëpi në një lagje luksoze në periferi të Prishtinës. Ndërkohë, sipas deklarimeve të pasurisë, Osmani posedon edhe disa pasuri të tjera, përfshirë prona në Australi, ku një shtëpi figuron me vlerë mbi gjysmë milioni euro.
Pas raportimeve se Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga Presidenca kanë bërë të ditur se nuk kanë informacione të tilla.
“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin”, tha Bekim Kupina, këshilltari i Osmanit.