Sirena sulmesh ajrore dhe shpërthime u dëgjuan në orët e para të së shtunës në kryeqytetin venezuelian , Karakas, me Presidentin Nicolas Maduro që shpalli – në një përgjigje fillestare – vendin në gjendje të jashtëzakonshme.
Sipas raportimeve, një nga objektet që është goditur është Kalaja Tiuna në anën jugore të qytetit, kompleksi kryesor ushtarak i Venezuelës, ku ndodhen – ndër të tjera – Ministria e Mbrojtjes dhe Akademia Ushtarake.
Bombardimet rezultuan gjithashtu në ndërprerjen e energjisë elektrike në zonë. Shpërthimi i parë u regjistrua afërsisht në orën 1:50 të mëngjesit sipas kohës lokale. “Një shpërthim ishte aq i fuqishëm sa dritarja ime u drodh pas tij”, tha korrespondenti i CNN .
Qeveria e Venezuelës ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “agresion ushtarak”, duke deklaruar se e “refuzon, dënon dhe kundërshton” veprimet e Uashingtonit.
Në një deklaratë zyrtare, autoritetet venezueliane thanë se SHBA po përpiqet të “përvetësojë burimet strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftën dhe mineralet”, duke synuar, sipas tyre, të cenojë me forcë pavarësinë politike të vendit.
“Sjellje të tilla agresive kërcënojnë paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, veçanërisht në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe rrezikojnë seriozisht jetën e miliona njerëzve”, thuhet më tej në deklaratë.