Ja si fitoheshin tenderat e rrugëve në Shqipëri, Balluku mesazh Berberit: KM më kërkoi të takoj Ram Gecin

Emri i kryeministrit Edi Rama ka dalë në bisedat e zv.kryeministres, Belinda Balluku me vartësin e saj, ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi.

Referuar dosjes së SPAK, gjatë komunikimeve mes Berberit dhe Ballukut, kjo e fundit i thotë vartësit të saj, se Rama i kishte kërkuar që të takonte biznesmenin e ndërtimit, Ram Geci, kompania e të cilit do të fitonte tenderin e rrugës së ‘Porto Romanos’ në Durrës. Kompania u shpall fituese pas takimit të numrit dy të qeverisë dhe Gecin.

“Në vijim të hetimit, nga këqyrja e të dhënave të aktit të ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular “Blackberry”, model “BBF100-6”, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, ka rezultuar komunikimi i datës 24.08.2021, në aplikacionin “Ëhatsapp”, ku në orën 13:49, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: “KM më kërkoi të takoj Ram Gecin”. Pas këtij mesazhi, në orën 13:51, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhet në aplikacionin “Signal Private Messenger”, me tekst: “E kishte takuar sot. Të kaloj nga zyra se e takova para një ore në kantier, bëra një xhiro në gjithë unazën”.
Në orën 13:52, Belinda Balluku: “Jam në shpi peshk me pak fjalë, me një virozë”.

Në orën 13:52, Evis Berberi: “Obobo”.
Në orën 13:52, Belinda Balluku: “Në PR do e çojmë këtë, them unë. Sa është PR?”.
Në orën 13:53, Evis Berberi: “15 ml, rreth diku te 10 ml euro pa TVSH, 15 miliardë lekë”- thuhet në dosjan e SPAK.

SPAK sqaron se në lidhje me bisedat e mësipërme, nga hetimi rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar në datën 15.09.2021 ka bërë njoftimin për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.

Në Buletinin nr. 167, datë 22.11.2021, të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se për këtë procedurë prokurimi është publikuar njoftimi mbi vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë, ku ka rezultuar se është kualifikuar oferta e paraqitur nga shoqëria “Geci” sh.p.k.

Referuar të dhënave të sistemit elektronik të prokurimit publik, si rezultat i shpalljes fitues të shoqërisë “Geci” sh.p.k., në këtë procedurë prokurimi, është lidhur kontrata midis Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe shoqërisë “Geci” sh.p.k., me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”.