PËRGJIMET/ Belinda Balluku për Bashkim Ulajn: Po i bëj nderin e jetës me Thumanë – Kashar! Është i pashpresë, mund të bëhet shumë ushtar

Të tjera përgjime kanë dalë nga dosja e Belinda Ballukut në SPAK, ku këtë herë bëhet fjalë për një tjetër aferë të dyshuar të zv.kryeministres.

Një nga koncesionet më të shtrenjta në historinë e Shqipërisë, aksi Thumanë-Kashar, i ndërtuar nga kompania “Gener 2” e Bashkim Ulajt, duket se është një tjetër aferë korruptive, sipas asaj që dyshon Prokuroria e Posaçme.

Në mesazhet mes Ballukut dhe Evis Berberit në aplikacionin “Signal”, zv.kryeministrja i thotë vartësit të saj se kishte qenë një ditë më parë me “Bashkimin”, dhe se “kjo është sfida ime dhe e tij”.

KOMUNIKIMET

Belinda Balluku: Isha me Bashkimin dje.

Evis Berberi: Si shkoi?

Belinda Balluku: Dhe i thash kjo eshte sfida ime dhe e tij.

Evis Berberi: Po prandaj ndihej ndryshimi sot.

Belinda Balluku: Me tha qe vinci per traret e ures vjen neser ose pasneser. Evis

Berberi: Erdhi dje sot shkonte te ura. Se qe andej po kthehem”.

Në të tjera mesazhe, Balluku shprehet se po i bënte nderin e jetës me Thumanë- Kashar, teksa e cilësonte biznesmenin si të izoluar dhe të pashpresë, i cili mund të kthehej në një ushtar të besuar të saj.

KOMUNIKIMET

Belinda Balluku: “Une po i bej nderin e jetes me Thumane-Kashar, ndaj ai do behet cope. Do flasim pak, mund te behet shume ushtar. Eshte shume i izoluar dhe i pashprese, ndaj Agollin nuk e shiti kurre dhe e beri mbret”.

Evis Berberi: Te vij sot te diskutojme pak dhe per neser ne ora 9. S’ka se si ta shese kane punuar gjate.

Belinda Balluku: Se keta te tjeret jane te lidhur e te bere gonxhe me njeri tjetrin.

Sipas SPAK, komunikimi i mësipërm i referohet shtetasit Bashkim Ulaj, ortak i shoqërisë “Gener 2” sh.p.k., e shpallur fituese në procedurën koncesionare “Për dhënien me koncesion/PPP të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Thumanë–Fushë-Krujë–Vorë–Kashar”. Vlera e parashikuar e projektit është 245,750,755 euro.