Detaje të reja janë mësuar në lidhje me dosjen e AKSHI-t, ndërsa dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë shpallur në kërkim
Hetimet e SPAK kanë zbuluar edhe një jaht luksoz në pronësi të Beqirit, por që ky u fundit e kishte fshehur në emër të një punonjëses së tij në kompaninë “Soft & Solutions”.
Siç bën me dije SPAK, mjeti lundrues Predator 50 Skyfall, vlera e të cilit shkon deri në 950 mijë euro, rezulton si pronësi e Xhenila Tamizi, por jahti luksoz është blerë nga Beqiri
Tamizi rezulton se është personi që rekrutonte edhe stafin për kompaninë e Beqirit dhe më pas i transferonte tek kompania e biznesmenit Ergys Agasi, i shpallur po ashtu në kërkim.
“Në vijim, me qëllim verifikimin e të dhënave te konstatuara, te cilat rezultuan nga ushtrimi i këtij kontrolli, është proceduar me marrjen në pyetje të disa punonjësve te shoqërisë “EA Solution” sh.p.k. Këta shtetas në tërësi kanë deklaruar se njoftimet për punë i kanë parë në internet, trajnimet e tyre i ka bërë shtetasja Xhenila Tamizi. Nga aktet kjo shtetase rezulton të jetë e punësuar në shoqërine “Soft & Solutions” sh.p.k., madje në emër te saj rezulton edhe sendi i blerë nga Ermal Beqiri, mjeti lundrues Predator 50 Skyfall (jaht). Pasi janë trajnuar, punonjësit bëjnë me dije se kontratat janë lidhur me një shoqëri tjetër, të ndryshme nga “Soft & Solutions”, konkretisht me shoqërinë “EA Solutions”, thuhet në dosjen e SPAK.