Paralajmërimi i FMN: ‘Paqja Fiskale’ rrezikon të minojë progresin në administrimin tatimor

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin për Shqipërinë në vijim të misionit të mbajtur në nëntor.

Sipas FMN, Shqipëria vazhdon të shënojë një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në Europë, e mbështetur nga turizmi, inflacioni i ulët, borxhi publik në rënie dhe rezerva të forta valutore.

Pasigurite ekonomike vijojnë thotë FMN të ndikuar kryesisht nga faktorë të jashtëm, si tensionet gjeopolitike.

“Tensionet gjeopolitike, përshkallëzimi i masave tregtare, paqëndrueshmëria e çmimeve të mallrave dhe pasiguria e zgjatur mund të ndikojnë te partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë dhe të dobësojnë kërkesën e jashtme. Paqëndrueshmëria e tregut financiar global dhe korrigjimet e çmimeve të aseteve mund të zvogëlojnë kërkesën për borxhin sovran të Shqipërisë dhe mund të çojnë në rreziqe të rifinancimit”, thotë FMN.

Shqetësuese për Shqipërinë thotë FMN është rënia e popullsisë, që mund të përkeqësojë mungesat e fuqisë punëtore dhe të nxisë inflacionin.

“Brenda vendit, një rënie më e theksuar se sa pritej e popullsisë në moshë pune mund të përkeqësojë mungesat e fuqisë punëtore, të nxisë inflacionin, të kërkojë një qëndrim më të shtrënguar të politikës monetare dhe të dobësojë perspektivat e rritjes”, thotë FMN.

Në lidhje me politikat fiskale, FMN vlerëson se rritja e presioneve mbi shpenzimet, nëse nuk adresohen në kohë, mund të rrezikojë qëndrueshmërinë fiskale, veçanërisht përtej vitit 2030, për shkak të ndryshimeve demografike, detyrimeve për mbrojtjen dhe shpenzimeve që lidhen me klimën. Për të ruajtur rezervat fiskale, FMN rekomandon reforma të favorshme për rritjen në anën e të ardhurave, përmirësim të cilësisë së shpenzimeve dhe rritje të transparencës fiskale.

Në këtë kuadër, FMN komenton edhe nismën e “Paqes Fiskale”.

“Marrëveshja ‘Paqja Fiskale’, e cila ofron falje borxhesh dhe rivlerësim preferencial të pasqyrave financiare, rrezikon të minojë progresin e mëparshëm në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore”, thuhet në deklaratëne Bordit të FMN-së.