Tensione në mbledhjen e Sekretariatit të Etikës, PS largohet nga mbledhja

Te tension dhe debate të forta ka nisur mbledhja e sotme e Sekretariatit të Etikës, ku do të merrej vendimi mbi kërkesën e PS-së për të përjashtuar 29 deputetë të opozitës pas kaosit të shkaktuar në seancën e fundit plenare.

Opozita u paraqit në Komision me pankarta në lidhje me skandalin e AKSHI-t, teksa deputetët e saj janë futur “live” në rrjetet sociale, çfarë solli edhe reagimin e Ulsi Manjës, që kërkoi të fikeshin telefonat.

Në momentin që po tregohej videoja nga seanca plenare kur u ndezën flakadanët, deputetja Albana Vokshi pranoi se i kishte ndezur ajo, dhe tha se do të vijonte ta bënte deri në largimin e kryeministrit Rama.

“Unë e kam ndezur dhe e ndez 100 herë derisa të ikë Edi Rama. Po po unë jam aty. Sillni këtu Niko Peleshin të më tregojë pse kishte sjellë Gardën. Nuk jemi këtu si në gjyq në kohën e sigurimit të Shtetit. Kemi kërkuar mbledhje me praninë e mediave”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, anëtarët e Partisë Socialiste u larguasn nga mbledhja pas refuzimit të opozitës për të mos transmetuar mbledhjen e Sekretariatit, që duhej të zhvillohej me dyer të mbyllura.