Greminë apo transformim: Skenaret e përplasjes Rilindje-Drejtësi

Për të kuptuar më mirë rreziqet e përballjes aktuale mes Ramës dhe drejtësisë është e dobishme të shohim një shembull shumë të ngjashëm, atë të Rumanisë në vitet 2013-2018.

Në 2013 nën trysninë e BE-së, Rumania krijoi Drejtorinë Nacionale të Antikorrupsionit, njësoj si SPAK-u ynë, me në krye Laura Kovesin. Brenda 2-3 vitesh u vunë përpara drejtësisë dhjetëra politikanë të rëndësishëm, zyrtarë të lartë dhe biznesmenë të përfshirë në korrupsion. Goditjet u dhanë në të gjithë krahët e politikës dhe jo vetëm ndaj partisë në pushtet. Popullariteti i DNA-së në popull ishte maksimal, njësoj si i SPAK-ut tonë.

Por politika nisi të reagojë dhe reagimi ishte në koordinim mes palëve kundërshtare politikisht. Prokurorët u sulmuan individualisht për t’u delegjitimuar, DNA-ja u akuzua për goditje selektive dhe të motivuara politikisht (njësoj si te ne nga të dy palët), për shkelje të të drejtave të njeriut (njësoj si Rama në rastin Veliaj dhe tani edhe Balluku), prishje të imazhit të vendit dhe madje nisën përpjekjet për të hequr “shpërdorimin e detyrës” nga objekti i punës së drejtësisë (diskutim i bërë fshehurazi edhe në Shqipëri). Te ne është theksuar edhe akuza për ndërhyrje në pushtetin ekzekutiv në rastin e pezullimit të Ballukut nga GJKKO-ja.

Ngjashmëria me Shqipërinë është goditëse. Deri para pak ditësh Rilindja kishte duruar goditjet e drejtësisë pa sulmuar drejtpërdrejt dhe fuqishëm atë, por tani që prokurorët “me patllake” erdhën deri te paradhoma e kryeminstrit beteja duket e pashmangshme dhe madje është shpallur nga Rama në podcastin e tij të fundit. Njësoj si në Rumani Rama po e konsideron drejtësinë e re si abuzive. Njësoj si në Rumani drejtësia akuzohet se po kërkon të marrë sa më shumë pushtet dhe madje edhe të futet në sferën e kompetencave të pushtetit ekzekutiv. Nuk është vetëm Rama që shqetësohet për këtë, por edhe disa media, analistë e gazetarë. Kur të dalin të palarat e dosjes Balluku me shumë gjasa do të kuptojmë më mirë edhe motivimin e një pjese të medias dhe analistëve për të mbështetur teza të tilla.

Aktualisht Rilindja, është mes Skillës e Karibdës. Nga njëra anë ajo ka trysninë e një drejtësie të re që mbështetet nga opinioni publik dhe mbi të gjitha nga amerikanët, të cilëve, përkundër kritikave sovraniste, duhet t’u jemi mirënjohës tani po aq sa për çlirimin e Kosovës. Nga ana tjetër Rilindja ka trysninë e gjithë sistemit që e mban në këmbë elektoralisht: korrupsioni dhe krimi i organizuar. Fati ynë i madh është që strategjia e re amerikanë për luftën kundër drogës përplaset drejtpërdrejt me interesat e atyre që janë edhe kontribues të votave të Rilindjes. Rilindja ka shkelur në kallo aty ku nuk duhet.

Aktualisht Rilindja ka dy opsione përpara:

T’i hapë rrugën drejtësisë dhe të pranojë kushtet e reja të lojës. Kjo do të sjellë jo thjesht shkërmoqjen e mbështetjes së saj lokale në sistemin e korrupsionit, klientelizmit dhe aleancës me krimin, por edhe dobësimin deri në humbje zgjedhore. Humbja do të ekspozonte akoma më tepër ndaj drejtësisë. Prandaj ky opsion ka kosto shumë të lartë për Rilindjen. Një kosto që kushton shumë më shtrenjtë se thjesht humbja e pushtetit.

Të bllokojë drejtësinë me të njëjtat metoda si në Rumani, ku pas sulmeve mbi prokurorët u kalua në ndryshime ligjore e madje edhe shkarkimin e Laura Kovesit, alias Dumanit rumun. Kostoja ishte e lartë, sepse rumunët u derdhën në sheshe në protestat më të mëdha që prej rënies së komunizmit duke sjellë edhe zbythjen e përkohshme të nismave ligjore të qeverisë. Në fund politika ia doli të dobësojë drejtësinë, por pa e hequr qafe plotësisht.

Rilindja duket se po shkon drejt skenarit të dytë: përplasjes me drejtësinë. Me shumë gjasa Rama mendon, jo pa të drejtë, se i fiton zgjedhjet edhe përkundër pakënaqësisë popullore që do të vinte pas sulmit mbi drejtësinë. Por ka një dallim të madh me Rumaninë. Qeverisja në Shqipëri është shumë më e zhytur në bashkëpunimin me krimin sesa ajo në Rumani. Suksesi i trafikantëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare dhe sidomos në “Western Hemisphere” që amerikanët e shohin si kopshtin e tyre, i bën ata automatikisht armiq të administratës Trump. Rrjedhimisht skenari i përplasjes së Rilindjes me drejtësinë mund të sjellë edhe përplasjen me amerikanët dhe atëherë qeverisja ka vetëm një shteg të mundshëm: të rrëshkasë drejt një autoritarizmi sovranist që do ta bënte Shqipërinë një vend të ngjashëm me republikat gjysëm-diktatoriale të Azisë Qendrore.

Një opsion tjetër, më pak i mundshëm, por jo i pamundur, është ai i negociimit të një tërheqjeje të Ramës me disa garanci personale. Në betejat e mesjetës gjithmonë armikut i lihej një shteg arratisjeje në mënyrë që beteja të mos përfundonte me masakër masive deri në ushtarin e fundit dhe me kosto të lartë edhe për fituesin. Mund të krijohet një qeveri socialiste me dikë të pranueshëm (hajde gjeje një socialist nuk ka ngjyer gishtat në mjaltin e korrupsionit), ose edhe një qeveri teknike me teknokratë, gjithmonë në kuadrin e ndonjë amnistie personale.

Gjithsesi skenarët nuk varen vetëm nga vendimet e Ramës. Edhe aktorët e tjerë do të ketë rolin e tyre për të luajtur. Çfarë do të bëjë bota e errët nëse i rrezikohet ekspozimi i lidhjeve politike dhe vazhdimësia e tyre? Si do të reagojë qytetaria e vendit në rast të një goditjeje të hapur të Rilindjes ndaj drejtësisë: a do të jemi në lartësinë e rumunëve? A do të mundet opozita të frymëzojë dhe udhëheqë një lëvizje tektonike ndryshimi që mund të përballojë edhe të gjithë format e manipulimit të zgjedhjeve? Çfarë kanë ndërmend të bëjnë amerikanët dhe BE-ja dhe sa bindës do të jenë me trysninë e tyre?

Shqipëria është në një fazë kyçe të historisë së saj. Vendi mund të rrëshkasë në greminë ose mund të transformohet për mirë. Ajo që duket më e pamundur është status quo-ja.