Ergys Agasi, i shpallur në kërkim pasi SPAK ka lëshuar një urdhër-arresti për të, duket se ka qenë i përgatitur për t’i marrë të gjithë me vete nëse do të binte në duart e drejtësisë.
Një pajisje përgjimi që regjistronte me video dhe audio të gjitha takimet e Agasit, është sekuestruar në zyrën e këtij të fundit në zonën e ish-Bllokut, në të cilën ndodhen të filmuara të gjitha takimet që ai zhvillonte me zyrtarë të lartë të qeverisë, biznesmenë dhe Policinë e Shtetit.
Me anë të kësaj pajisje, SPAK ka mundur të sigurojë prova të shumta rreth mënyrës se si manipuloheshin tenderat e AKSHI-t, duke rënduar pozitat e tij, biznesmenit Ermal Beqiri dhe drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Në takimet me Ergys Agasin shfaqen ministra, deputetë, drejtorë të administratës, zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, biznesmenë dhe personazhe të botës së krimit në Shqipëri.
Sipas SPAK, në vetëm 9 muaj, vetëm nga fondet e AKSHI-t, Ergys Agasi ka përfituar plot 30.2 milion euro. Në përgjime, Ergys Agasi edhe “Kapo-n”, që sipas deputetit demokrat Gazment Bardhi, i referohet kryeministrit Rama.
Tashmë SPAK duket se ka prova të mjaftueshme për të zbardhur të tjera vepra korrupsioni në vendin tonë, si dhe për të faktuar sërish lidhjen e pushtetit me krimin e organizuar.
Ndërkohë, vijon ende kërkimi për shishet e verës me vlerë 3 milionë euro që u “arratisën” nga kantina e sekuestruar e Ergys Agasit. Në kërkim është shpallur kushëriri i tij, Eno Agasi, ndërkohë që deri më tani nuk ka ndonjë njoftim për ndonjë masë të marrë për përgjegjësit që duhet të ruanin verërat deri në momentin e heqjes së tyre nga kantina.

