Edi Rama nuk guxon të thotë se Belinda Balluku nuk ka vjedhur

Prej rreth 1 muaji, që kur GJKKO vendosi të pezullonte nga detyra Belinda Ballukun, kryeministri Edi Rama nuk i ka ndalur sulmet ndaj SPAK dhe GJKKO, që e morën zv.kryeministren të pandehur pas akuzave për korrupsion në vlerë qindra milionë euro.

Kryeministri ka sulmuar prokurorët, ka relativizuar hetimet, ka vënë në dyshim institucionet e drejtësisë së re dhe ka thënë lloj lloj justifikimesh në podcastin e tij, aty ku nuk ka njeri ta kundërshtojë e t’i përplasë të vërtetat e mëdha të kësaj çështje.

Por, në gjithë sulmet e tij ndaj SPAK dhe GJKKO, Edi Rama nuk ka thënë kurrë se “Belinda Balluku është e pafajshme”. Madje, as vetë zv.kryeministrja nuk i ka mohuar kurrë akuzat për korrupsion dhe vjedhjet galopante, por është fshehur pas kreut të qeverisë dhe justifikimeve për “ndarjen e pushteteve”.

Ka një arsye pse as Rama dhe as Balluku nuk e kanë thënë kurrë atë fjali. Sepse për ta thënë atë duhen fakte, të cilat SPAK i ka në një dosje prej më shumë se 16 mijë faqëshe, ndërsa kryeministri dhe zëvendësja e tij kanë vetëm fjalët, të cilat tashmë nuk ua beson asnjë.

Nëse akuzat e SPAK nuk do të ishin të vërteta, përgjigjja do të ishte e menjëhershme nga të dy, ku do të dilnin çdo ditë për të thënë se asnjë qindarkë e buxhetit nuk është vjedhur. Por jo, askush nuk e ka guximin të mohojë një dosje aq voluminoze.

Asnjë nga akuzat nuk është mohuar! Nuk është mohuar se tenderat janë ndarë në mënyrë klienteliste, nuk është mohuar se paratë publike janë përqendruar në pak duar dhe nuk është mohuar se pushteti është përdorur për përfitime personale.

Mbrojtja që Rama i ka bërë Ballukut është një mbrojtje interesi, pasi përgjimet treguan se edhe vetë kryeministri merr pjesë në ndarjen e tenderave.

Por, kjo mbrojtje pa e shpallur të pafajshme, tregon që Rama nuk po mbron vërtet Ballukun, por sistemin që ai vetë ka ngritur, një sistem ku korrupsioni nuk mohohet, por kërkohet vetëm të fshihet nga sytë e qytetarëve.

SPAK dhe GJKKO nuk po sulmohen sepse kanë gabuar, por sepse kanë nxjerrë në dritë disa të vërteta që të gjithë i dinin, por nuk kishin prova.

Në fund, ajo që mbetet është fakti që akuzat nuk u mohuan kurrë. As nga kryeministri që bërtet kundër drejtësisë, as nga ministrja që fshihet pas tij.

Dhe kur pushteti zgjedh të mos mohojë korrupsionin, por vetëm të sulmojë ata që e hetojnë, ai nuk po mbron veten nga padrejtësia, por po mbrohet nga e vërteta.