Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar pas daljes së përgjimeve të reja në dosjen e Prokurorisë së Posaçme, ku mes bisedave të shkëmbyera mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit, përmendet emri i kryeministrit Edi Rama si caktues në të paktën një rast të fituesit të një tenderi.
Shehaj përmes një video mesazhi në rrjetet sociale, ka kërkuar marrjen të pandehur të kreut të Qeverisë Edi Rama dhe daljen e tij para drejtësisë.
Kreu i Mundësia publikoi bisedat e transkriptuara mes Belinda Ballukut dhe Evis Berberit, ku zv.kryeministrja e përmend me emër kryeministrin Rama teksa i kërkon llogari vartësit të saj në Autoritetin Rrugor Shqiptar: “Ti e ke hapur këtë tenderin për të cilin ky thotë që ka rënë dakort me Ramën?”.
“Këto janë përgjimet që përfshijnë Edi Ramën. Këto janë përgjimet që kompromentojnë Edi Ramën. Këto janë përgjimet që tregojnë që vendimet për tenderat nuk i merr as Belinda Balluku, as Berberi, por i merr vetë Edi Rama. Çdo gjë tjetër është thjesht një teatër”, shprehet Shehaj.
Teksa thekson se tashmë në dosjen e SPAK komunikimet mes Ballukut dhe Berberit kanë kompromentuar edhe Ramën që cakton tendera për biznesmenët pranë tij, Shehaj thotë se radha për të dalë para drejtësisë, pas Ballukut, tani është e Edi Ramës.
“E rëndësishme është që Edi Rama të vendosë se kush prej biznesmenëve që janë afër tij të marrë paratë, të fitojë tenderat. Tani është e qartë që Belinda Balluku ka ikur, nuk e shpëtojnë dot më, por tani radhën e ka Edi Rama.Edi Rama duhet të merret i pandehur, duhet të dalë përpara drejtësisë!”, përfundon Shehaj.
Reagimi i plotë:
Donit përgjimet ku del vetë Edi Rama?
Ja ku i keni
Këto janë përgjimet e SPAK-ut, ku del që vendimet i merr Edi Rama
Belinda Balluku duke folur me Berberin i thotë tekstualisht:
“Për këtë flet ky se ka rënë dakort me Ramën”
Praktikisht i kërkon llogari Berberit, i thotë: “Ti e ke hapur këtë tenderin për të cilin ky thotë që ka rënë dakort me Ramën?”
“Po” i thotë Berberi.
“Po si është e mundur që unë nuk di gjë?”.
“Por”,- thotë Berberi “se ishte një tender i madh, e ndava në shumë pjesë që të merrnin të gjithë”.
Këto janë përgjimet që përfshijnë Edi Ramën.
Këto janë përgjimet që kompromentojnë Edi Ramën.
Këto janë përgjimet që tregojnë që vendimet për tenderat nuk i merr as Belinda Balluku, as Berberi, por i merr vetë Edi Rama.
Çdo gjë tjetër është thjesht një teatër. Nuk ka rëndësi Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë rëndësi kriteret, nuk kanë rëndësi renditja sipas pikëzimeve, nuk ka rëndësi se cila është oferta më e mirë që qytetarët shqiptarë të harxhojnë sa më pak për ndërtimin e rrugëve.
E rëndësishme është që Edi Rama të vendosë se kush prej biznesmenëve që janë afër tij të marrë paratë, të fitojë tenderat.
Kjo është e vërteta.
Tani është e qartë që Belinda Balluku ka ikur, nuk e shpëtojnë dot më, por tani radhën e ka Edi Rama. Edi Rama duhet të merret i pandehur, duhet të dalë përpara drejtësisë!