SPAK me akuza të reja për Belinda Ballukun, detaje të reja mbi kërkesën për arrestimin e zv.kryeministres

SPAK nuk ka humbur kohë, pasi Gjykata Kushtetuese vendosi të rikthejë në detyrë Belinda Ballukun, pavarësisht se Prokuroria e Posaçme dhe GJKKO arsyetojnë se ajo përbën rrezik për prishjen e provave të hetimeve që po zhvillohen ndaj saj.

Sot, SPAK i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë ku kërkohet heqja e imunitetit të Ballukut, për të bërë më pas arrestimin e saj.

Kërkesa e prokurorëve ka ardhur pas provave të reja të zbuluara në hetimin ndaj zv.kryeministres, të lidhura me ndërtimin e Unazës së Madhe, Tashmë Balluku nuk akuzohet vetëm për lotin 4, por edhe për disa segmente të tjera të kësaj rruge.

7 procedurat e prokurimit të unazës së Madhe për të cilat akuzohet Belinda Balluku

  1. “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
  2. “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
  3. “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
  4. “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
  5. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
  6. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
  7. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”


Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti qindra milionë euro.

GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes do të bëhet në 22 Janar.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:

Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.

Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:

  1. “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
  2. “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
  3. “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
  4. “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
  5. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
  6. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
  7. “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.

Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.