Pas gjashtë muajsh hetime, autoritetet italiane kanë zbardhur vrasjen e 59-vjeçarit me origjinë shqiptare, Fatos Cenajt, ish-polic dhe kanë vënë në pranga një person si autor të dyshuar të krimit.
Autori është një 45-vjeçar nga Padova, banor i zonës, i akuzuar për vrasje, i cili është arrestuar. Sipas rindërtimit të karabinierëve, mëngjesin e së dielës, 8 qershor, autori i dyshuar ishte pozicionuar përgjatë rrugës që Cenaj përshkonte çdo ditë për të shkuar në punë.
Cenaj lëvizte me biçikletë, ndërsa 45-vjeçari iu afrua nga pas dhe e qëlloi në kokë.
Fatos Cenaj kishte shërbyer më parë në policinë e burgjeve në Shqipëri dhe ishte transferuar në Itali për t’u bashkuar me familjen e tij, e cila kishte blerë një shtëpi në Fontanaviva.
E kaluara e tij konsiderohej e pastër, ndërsa marrëdhëniet me fqinjin përshkruheshin si të tensionuara, por të kufizuara në debate të vogla.
45-vjeçari nga Padova ndodhet tashmë në burgun “Due Palazzi”, ku përballet me akuzën e vrasjes me dashje.