Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim ankimimin e Ramës për Ballukun

Gjykata Kushtetuese ka kaluar për shqyrtim ankimimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO, për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Gjyqtarët votuan 5 pro dhe 3 kundër shqyrtimit të ankimimit të bërë nga qeveria. Tashmë pritet të vendoset se kur do të shqyrtohet ankimimi dhe cili do të jetë relatori i çështjes.

Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.

Më 20 nëntor, Gjykata e Posaçme pezulloi nga detyra Ballukun, duke i ndaluar gjithashtu të drejtën për të dalë jashtë vendit.

Gjykata vlerësoi se masat ndaj Ballukut, pezullim detyre dhe ndalim për të dalë jashtë vendit dhe arrest shtëpie ndaj vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi janë vënë pasi ekziston rreziku që të pandehurit të largohen.