RENEA aksion në Dobraç e Fushë Kuqe, policia hep detaje nga arrestimi i “ushtarëve” të Ervis Martinajt

Një aksion i befasishëm i RENEA-s në Dobraç ka sjellë arrestimin e dy personave të njohur të botës së krimit, Alket Xhixha dhe Ervis Mërlika.

Të dy ata njihen si ushtarë të Ervis Martinajt. Ervis Mërlika akuzohet si pjesëmarrës në planin për eliminimin e Indrit Dokles, ndërsa  Alket Xhixha, bëri të mundur takimin e Nuredin Dumanit dhe Ervis Martinajt.

Ata akuzohen  “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, si dhe personave të lidhur me të.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 75”.

Kapen në një terren të vështirë dhe vihen në pranga dy të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Dy të kërkuarit u kapën të armatosur me armë zjarri pistoleta dhe armë gjahu.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri pistoleta, dy armë gjahu, dy radio si ato të policisë, një jelek antiplumb dhe municion luftarak.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin së shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni policor i koduar “Operacionalja 75”.

Gjatë operacionit me shkallë të lartë rrezikshmërie, në një terren të vështirë në zonën e Fushë-Kuqes pranë lumit, në një banesë, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale bënë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe ndalimin e dy shtetasve me rrezikshmëri të lartë shoqërore, konkretisht:

A. Xh., 42 vjeç, banues në Fushë-Krujë, dhe

E. M., 47 vjeç, banues në Mamurras, të shpallur në kërkim, pasi GJKKO ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale:

“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, në bashkëpunim të posaçëm të grupit kriminal”;

“Grup i strukturuar kriminal”;

“Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Gjatë kontrollit, forcat e posaçme operacionale gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri tip pistoletë brenda në çanta marsup, si dhe 2 armë gjahu, bashkë me municion luftarak, pa leje.

Po gjatë kontrollit u gjetën edhe 2 radio ndërlidhëse si ato të policisë dhe një jelek antiplumb.

Vazhdon puna për dokumentimin dhe gjetjen e provave të tjera.